Sekuestrohen 12 kg kokainë, arrestohet shqiptari në Kakavijë
Sekuestrohen rreth 12 kg kokainë në doganën e Kakavijës. Policia bën të ditur se rreth orës 14:30 është bërë i mundur sekuestrimi i lëndës nakrotike dhe arrestimi 27-vjeçarit Besmir Pasia, i cili drejtonte automjetin me targa greke, ku u gjet kokaina.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, poshtë levës së marsheve si dhe poshtë sediljes së pasme të pasagjerëve në brendësi të dyshemesë janë konstatuar gjithsej 10 pako me lëndë narkotike, të mbështjella me letër natriban.
27-vjeçari Besmir Pasia nga Burreli dhe banues në Athinë e me nënshtetësi greke është arrestuar në kushtet e flagrancës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një aparat celulari, lënda narkotike, si dhe automjeti që u gjet lënda narkotike.
Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërkaq vijojnë hetimet për të zbuluar origjinën e kokainës, ndërsa destinacioni ishte shteti helen, si dhe po punohet për zbardhjen e plotë të këtij trafiku dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të. Hetimet në vijim do të kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.