Policët e vrarë në detyrë, Rama me familjet: Të zhdukim tradhëtinë në polici

I bindur se tradhëtia brenda uniformave blu, por edhe braktisja e shtetit ndaj tyre u ka kushtuar jo në pak raste jetën efektivëve dhe komisarëve të policisë, kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë për të çrrënjosur njëherë e mirë tradhëtinë nga policia e shtetit. Duke folur në ceremoninë shtetërore të mbajtur në ditën e të rënëve të policisë në krye të detyrës Rama lëshoi akuza në drejtim të qeverisjes së kaluar për braktisje të policisë dhe bërje palë me krimin, ndërsa ka premtuar më shumë mbështetje morale dhe financiare për punonjësit e rendit.“Tradhëtia duhet çrrënjosur njëherë e mirë në parballjen me krimin, në përballjen e policëve me kriminelin, ligjit dhe paligjshmërisë. Tradhëtia është e para që ne kemi nisur ta çrrënjosim , për ta bërë sëpaku të barabartë këtë betejë dhe për ta fituar përmes ligjit. Teksa vija këtu dhe ndiqja dhe fjalë e atyre që patën mundësinë të flasin para meje, mundohesha të përfytyroja jetën e gjithë atyre që nuk janë më dhe shkaqet pse nuk janë më. Askund tjetër krimi s’ka mundur të marrë epërsinë që ka marrë në vendin tonë dhe askund tjetër nuk ka një numër të tillë policësh të vrarë. Unë jam besim plotë se vitin e ardhshëm do vimë këtu me shumë më tepër arsye për të kërkuar shumë më shumë prej anëtarëve të policisë së shtetit, duke u dhënë shumë më tepër nga çfarë kanë marrë sot, pa i tradhëtuar kurrë, pa i lënë kurrë vetëm në një betejë të tillë. Ne jemi të vendosur për të marrë hak në emër të komisarëve të vrarë barbarisht nga kriminelë dhe rrugacë që në shumë raste kanë pasur mbështetje nga mbrapa, për të marrë hak në emër të familjeve dhe fëmijëve jetim. Ne mund të bëjmë diçka më të mirë që të flasim me vepra dhe jo fjalë, me rezultate dhe jo statistika të manipuluara. Është puna më e vështirë dhe e keqpaguar në vend, dhe mbi të gjitha është puna më fisnike që mund të bëhet në këtë vend. Përulem me mirënjohjen më të thellë për atë sakrificë që burrat, gratë dhe vajzat me uniformë bëjnë çdo ditë qoftë në përballjen me kriminelë të sofistikuar qoftë dhe në përballjen me punën e përditshme në rrugë. Ne do bëjmë gjithcka që familjet shqiptare të kërkojnë nga qeveria për ti dhënë policisë së shtetit, ajo është mbrojtja që ata kanë, siguria që secili ka qoftë në rrugë apo në shtëpi. Policia e shtetit është mbrojtja e vetme për jetën dhe pronën e çdo individi” tha Kryeministri.

Duke ju drejtuar familjeve të të rënëve, Kryeministri ka shprehur angazhimin e qeverisë së tij për më shumë vëmendje ndaj tyre, duke premtuar strehim për çdo familje polici të vrarë në krye të detyrës, përkrahje për fëmijët dhe punësim për gratë e të rënëve.

“Ky është i treti vit që familjet e dëshmorëve të policisë së shtetit vinë këtu për të kujtuar sëbashku me anëtarë të kësaj familje dhe përfaqësues të qeverisë  të rënët, bashkombasit e tyre, baballarët e tyre, bashkëshortët e tyre, ata që u përballën me krimin dhe lanë jetën në një fushë beteje fatkeqësisht të pabarabartë. Një betejë ku gjurma e tradhëtisë ndaj policisë së shtetit do të mbetet e pashlyeshme. Nga ana tjetër dëshiroj me gjithë zemër dhe plot bindje t’ju them familjeve të tyre se në përvjetorin e ardhshëm nuk do vimë këtu kokëulur qoftë për shkak të tradhëtisë së shtetit prej shumë prej tyre, qoftë dhe braktisjes së shtetit prej shumë prej tyre. Ne do përbushim detyrat tona kundrejt të gjithë familjeve të të rënëve, por edhe grave të mbetura vetëm. Asnjëra prej tyre nuk do jetë pa punë vitin e ardhshëm, asnjë fëmijë i tyre nuk do jetë pa përkrahje, asnjë prej familjeve të tyre nuk do jetë pa strehë vitin e ardhshëm” premtoi Rama.

I pranishëm në ceremoni, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, tha se gjaku i dëshmorëve të rënë rrit më shumë përgjegjësinë për familjen e madhe të policisë së shtetit për të ndërtuar një shtet të drejtë për fëmijët e tyre dhe policëve të vrarë. Ndërkaq ai informoi se Ministria që drejton ka nisur shqyrtimin e dosjeve të çdo polici të vrarë në detyrë dhe se shumë shpejt do ketë një plan masash dhe ndihme për familjet e tyre.

“Disa prej nesh e paguan me jetën e tyre betejën  për të vendosur shtetin ligjor.Filloni e besoni se shumë shpejt do jeni krenarë. Në emër të oficerëve të rënë në krye të detyrës kemi përpara një mision të shenjtë, të ndërtojmë një shtet të drejtë për fëmijët tanë dhe të atyre të rënë në detyrë. Jam në dijeni se shumë prej jush janë mbushur me premtime bosh gjatë këtyre viteve.Për fat të keq dhe këtu ka histori të dhimbshme, ka familje të punonjësve  të policisë së shtetit se veç mungesës së kryefamiljarit kanë mungesë strehimi, arsimimi, financiare. Do bëjmë gjithcka për të përmbushur angazhimet tona, në strehimin e të gjitha familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës, punësimin e grave, arsimin e fëmijëve. Ka nisur puna për rishikimin e dosjeve të policëve, po përgatisim një plan      ndihme dhe masash për të përmirësuar kushtet e jetesës së këtyre familjeve për të mos u lënë në derë dhimbjen dhe vuajtjen atyre që boll vuiajtje patën nga humbja e të dashurve të tyre. Lavdi dëshmorëve të policisë së shtetit, i përjetshem dhe i paharruar qoftë kujtimi i tyre”tha Tahiri.

Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Artan Didi, deklaroi se kushdo që ngre dorën mbi policinë nuk do ti shpëtojë ndëshkimit të drejtësisë.

 “Kjo është një ditë plot emocion dhe krenari, kujtojmë shokët tanë të rënë në krye të detyrës, njëkohësisht angazhoghemi dhe premtojmë se do bëjmë gjithë përpjekjet për të forcuar rendin dhe qetësinë në vend.  Për ju familjarë humbja e njerëzve tuaj të dashur është një dhimbje e madhe, por ju sigurojmë se do keni pranë të gjithë punonjësit e policisë së shtetit. Ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet dhe sakrificat me të cilat përballet profesioni ynë. Të rënët tanë do kujtohen si një shembull i virtytit, ndërsa zotohemi se  askush që ngre dorë mbi policinë nuk do ti shpëtojë ndëshkimit të drejtësisë” u shpreh ai.