“Rama quajti idotë kritikët”, PD “kryqëzon” kryeministrin për deklaratat

Partia Demokratike i ka cilësuar si  të pamatura dhe amatore deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Kosovë pasi e cilësoi Thaçin si “Kryeministër i shqiptarëve të Kosovës”.Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja Laura Vorpsi theksoi se PD-ja i kujton Kryeministrit të vendit se politika e jashtme është një nga kolonat më të rëndësishme të shtetit dhe për këtë arsye kërkon maturi, pjekuri dhe kompetencë."T’i drejtohesh kryeministrit të Kosovës, me shprehjen: “Kryeministër i shqiptarëve të Kosovës”, është një gafë amatorësh. Kryeministri i Kosovës, është gjithashtu edhe Kryeministër i pakicave që jetojnë në këtë republikë, është Kryeministër i të gjithë qytetarëve atje. Të flasësh për politikën e jashtme nuk është si t’i japësh drejtim punëve të këshillit teknik të Bashkisë. Reagimi masiv i analistëve, i komentuesve, por dhe i shumë shqiptarëve në rrjetet sociale dhe kudo, vjen pas këtyre qëndrimeve amatore të Kryeministrit. I pakuptueshëm është reagimi i z. Rama ndaj tyre, duke i quajtur “idiotë”, siç i cilësoi ai në një intervistë televizive, kritikët ndaj tij” theksoi Vorpsi.Sipas saj, kjo mënyrë të shprehuri është e papranueshme për një Kryeministër, dhe është po aq amatore dhe joserioze sa mënyra me të cilën ai bën politikën e jashtme.