Eksploziv makinës së efektivit, arrestohen 2 persona, njëri është polic

Shpërthimi i makinës se policit Shkurt Toplani mbrëmjen e të mërkurës në Tiranë ka patur si qëllim vrasjen e tij. Ngjarja e ndodhur në zonën e Kombinatit dhe sipas policisë së Tiranës ka qënë e organizuar për të eliminuar efektivin e komisariatit numër 6.Burime nga policia bëjnë me dije se për këtë ngjarje të rëndë është i implikuar Shaban Lami, punonjës policie i komisariatit numër 5,lindur dhe banues në Kamëz. Ndërsa në pranga të policisë ka rënë edhe 18 vjeçari Renato Kazani, banues në Kamëz.Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autoriët e vënies së një sasie eksplozivi në makinën e policit Toplani.Ndërkohë që blutë e Tiranës kanë arrestuar në flagrancë të dy personat e sipërcituar dhe mbi ta do të rëndojë akuza e tentativë vrasje për shkak të detyrës kjo e kryer në bashkëpunim.Arrestimi i tyre është bërë mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Petraq Leka” aty ku ndodhi edhe ngjarja. Motivi i kësaj ngjarje të rëndë e cila për fatin e mirë nuk përfundoi me viktima ka të bëjë me shoqërimin në polici ditën e enjte të vëllait të Renato Kazanit nga Shkurt Toplani me detyrë komandant grupi në komisariatin numër 6.Shpërthimi i automjeteve me lëndë eksplozive është një modë te re që krimi po servir kohët e fundit në Tiranë, ku në fokusin e tij për ditë me radhë ishin biznesmenë, por si duket as punonjësit e shtetit nuk po kursehen nga kjo mënyrë e cila shpesh ka rezultuar fatale.