Ristani:Rama dhe Tahiri, kontroll partiak ndaj policisë së shtetit

Partia Demokratike ka denoncuar sot emërimin e një kandidati të PS-së për drejtor personeli në policinë e shtetit.Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Arben Ristani ka akuzuar Kryeministrin Rama dhe Ministrin e Brendshëm Tahiri, se po vendosin ditë pas dite nën kontroll të plotë partiak, policinë e shtetit."Në kundërshtim të hapur me ligjin, dy ditë më parë, është emëruar në detyrën e drejtorit të personelit të policisë së shtetit, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit në Fier, Xhevahir Karaj. Ligji për Policinë e shtetit ndalon rreptësisht përfshirjen në këto struktura të personave me lidhje dhe me vokacion partiak. Kandidati për deputet i një partie, është shërbëtor i kësaj partie, është militant i kësaj partie, është pjesë thelbësore e kësaj partie. Është e qartë se Kryeministri në bashkëpunim me Ministrin e Brendshëm kanë caktuar drejtor të personelit në policinë e shtetit një politikan, një shërbëtor të partisë, i cili do të bëjë maksimumin për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e Partisë Socialiste, dhe jo interesat e shtetit dhe të publikut. Shkelja e ligjit të policisë së shtetit e nisur me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë vazhdoi më tej me shkarkimet kolektive të drejtuesve të lartë të policisë. Shkelja e ligjit dhe e çdo standardi vazhdoi me shkrirjen e strukturës së hetimit te krimit ekonomik duke e lënë vendin dhe sot që flasim pa mbikëqyrjen e kësaj strukture” theksoi Ristani.Sipas tij, këto janë ditët më të errëta për policinë e shtetit duke shtuar se ditët e fundit janë shtuar krimet, është rritur pasiguria e jetës dhe aksidentet po marrin përditë e më shumë jetë njerëzish."Kur qeveria sillet si bandë që nuk njeh ligjin, atëherë elementët kriminalë dhe të rrezikshëm për shoqërinë gjejnë terrenin më të përshtatshëm për të lulëzuar. Ne i kërkojmë qeverisë të ndalë shkelmimin e ligjit dhe të kthejë mbrapsht aktet e paligjshme që po e dëmtojnë rëndë policinë e shtetit, dhe po rrisin pasigurinë e qytetarëve në vend” përfundoi Ristani.