Meta takon Raunig: OSBE bashkëpunim me Kuvendin përmes projekteve konkrete
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka pritur ditën e sotme Kreun e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë, Ambasadorin Florian Raunig.Kryetari i Kuvendit i shprehu Ambasadorit Raunig urimet më të përzemërta për detyrën e re në krye të OSBE-së, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e Kuvendit për intensifikimin e bashkëpunimit të ngushtë me Prezencën e OSBE në Tiranë.
Meta u shpreh se Kuvendi do të jetë shembulli i një institucioni të standarteve të larta evropiane dhe i transparencës, dhe në këtë drejtim, asistenca e OSBE-së do të jetë një kontribut i vyer për të siguruar suksesin e punës parlamentare.Ambasadori Raunig e uroi kryeparlamentarin Ilir Meta për marrjen e detyrës së Kryetarit të Kuvendit dhe u shpreh se një nga shtyllat kryesore të punës së OSBE do të jetë bashkëpunimi me Kuvendin. Në këtë kuadër OSBE do të jetë e gatshme të ndihmojë përmes projekteve konkrete në mbështetje të punës së Kuvendit dhe administratës së institucionit.