Bajerni përmbys Maincin, Dortmund fiton minimalisht
Bajerni i Munihut ka ruajtur kryesimin në Bundesligën gjermane pas një përmbysje spektakolare që i bëri Maincit në pjesën e dytë të ndeshjes në duelin e radhës midis tyre në kampionatin gjerman. Bavarezët e nisën shumë keq ndeshjen duke pësuar gol në fundin e pjesës së parë nga Shaun Parker, por në pjesën e dytë kampionët e Gjermanisë dhe të Europës shpërthyen në një seri golash që bënë Maincin të mos e duronte dot presionin.Serinë e katër golave për skuadrën gjermane e hapi Arien Roben në minutën e 50-të. Dy minuta më vonë ishte Tomas Muller që shënoi golin e dytë duke përmbytur Maincin. Më pas erdhi radha e Mario Mandzukiç që realizoni golin e tretë në minutën e 70-të dhe ai që vulosi thellësinë e fitores ishte Tomas Muller që shënoi golin e katërt nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 82-të. Për Maincin nuk pati më asnjë shans të rikuperonte dhe vetë bavarezët thjesht sa menaxhuan minutat e mbetura të lojës, duke iu gëzuar fitores dhe duke marrë një trepikësh të rëndësishëm që e konfirmon në krye të Bundesligës me plot 23 pikë.Ndërkohë, Marko Rojs i dha fitoren Borusias së Dortmundit në takimin ndaj Hanoverit, në një ndeshje mjaft të bukur. Dortmundi e meritoi fitoren pavarësisht se në shifra të ngushta. Rojs e realizoi golin nga pika e bardhë e penalltisë. Por trepikëshi vlen shumë për skuadrën e Jurgen Klopit, i cili beson ende se ai mund ta përmbysë Bajernin e Munihut e të fitojë në fund titullin kampion në Gjermani.Dortmundi qëndron aktualisht në kuotën e 22 pikëve, po aq sa Bajer Leverkusen, ndërsa Bajerni i Munihut është një pikë më shumë, pra 23 të tilla. Bundesliga e këtij edicioni është interesante, pasi përveç Bajernit të Munihut e Borusias së Dortmundit ka dhe skuadra të tjera që pretendojnë titullin kampion e ndër ta janë dhe Leverkusen e Verder Bremen.