Berisha për vdekjen e Martens: Kur humbet një mik të çmuar ke humbur një pjesë të çmuar të vetvetes!

Ish kryeministri Sali Berisha, me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ka shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për vdekjen e Presidentit të EPP, Wilfried Martens.“Kur humbet  një mik të çmuar ke humbur një pjesë të çmuar të vetvetes!Të dashur miq, sot mora pjesë në ceremoninë solemne shtetërore të lamtumirës të Presidentit të EPP Wilfried Martens, që u zhvillua në Katedralen e qytetit Gent. Në këtë ceremoni morën pjesë Presidenti i Këshillit Europian Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Europian Barroso, Kryeministri dhe autoritet më të larta të Mbretërisë së Belgjikës, Kancelarja Merkel dhe shume presidentë e kryeministra të Qëndrës së Djathtë të vendeve europiane, Kryetari i Grupit Palramentar të EPP Joseph Daul si dhe drejtues e perfaqësues të 74 partive anëtare të EPP nga mbarë Europa.Wilfried Martens ishte një flamand, belg dhe europian i madh por mbi të gjitha ai ishte nje burrë, shtetar dhe mik i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që patën fatin e madh të kenë miqësinë e tij. Për mua dhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, Martens ishte një mik i rrallë. Ai e deshi shumë dhe e vizitoi disa herë Shqipërinë. Për më shumë se dy dekada ishte mbështetës ndër më kryesor të demokracisë shqiptare.Unë ndjehem sot krenar që patëm nje mik te çmuar, vigan si ai por dhe shumë i pikëlluar që do na mungojë. Kur humbet një mik të çmuar humbet një pjesë të çmuar të vetes tënde. Me këto fjalë që më dolën nga zemra mbylla dedikimin tim në librin e tij të nderit! Lamtumirë miku i madh, i imi dhe kombit tim, President Martens! Sb’, shkruan Berisha në “Facebook”.