Sot shënohet 10-vjetori i Lumturimit të Nënë Terezës

Shënohet sot 10- vjetori i Lumturimit të humanistes shqiptare, Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, njohur botërisht si Nënë Tereza e Kalkutës.Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama thekson se populli shqiptar ndihet krenar për humanisten e shquar.“Plot 10 vjet nga Lumturimi drejt Shenjtërimit, i Nënë Terezës,krenari për popullin e vogël të gruas së mrekullive. Qoftë me ne bekimi i saj” shkruan Rama.Plot 10 vite me parë, më 19 tetor 2003 ajo u lumturua nga Papa Gjon Pali II.Gruaja shtatvogël është fituese e Çmimit Nobel të Paqes, marrë në vitin 1979, çmim që shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve, të sëmurëve dhe atyre që ishin në prag të vdekjes.“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Me këto fjalë ajo pranoi botërisht origjinën e saj, teksa u deklarua për atdheun gjatë fjalës përshëndetëse në marrjen e çmimit Nobel.Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”.Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës. Ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Qeveria shqiptare e ka përcaktuar 19 Tetorin festë kombëtare.