“Fund marrëzisë”, hapet magazina e mbyllur, sekuestro 74 makinerive

Plot 74 makineri të paregjistruara janë sekuestruar sot nga policia e Tiranës. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, gjatë operacionit “Fund marrëzisë”, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka hapur sot me forcë dyert e një salle lojërash fati në të cilën ndodheshin 74 makineri të paregjistruara.Policia sqaron se subjekti, i cili ndodhej në kryqëzimin e rrugës “Siri Kodra” me “Rrugën e Dibrës” kishte mbyllur dyert që në ditën e nisjes së operacionit dhe nuk është paraqitur për të mundësuar kontrollin në mjediset e tij.Nga hetimet e kryera ka rezultuar se pronar i këtij objekti është shtetasi Admir Demiri, 47 vjeç, për kapjen e të cilit po punohet. Mbi të rëndojnë akuzat për veprën penale të “Organizimit të llotarive të palejuara“ dhe “Vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”. Dosja me materialet procedurale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Që prej 14 tetorit, operacioni “Fund Marrëzisë” kundër lojërave të paligjshme të fatit, ka çuar në procedimin penal 341 persona që operojnë në këtë fushë dhe sekuestrimin e 1810 pajisjeve.Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme njoftuan se janë bllokimin e 350 subjekteve, kontrolluar 1047 kazino e lojëra fati; janë proceduar penalisht 343 subjekte dhe 341 persona.

Në të gjithë vendin janë sekuestruar 1810 makineri lojëra fati e pajisje; 148 kompjuterë dhe 468 monitorë.

Vetëm në qarkun e Tiranës janë bllokuar 216 subjekte, janë kontrolluar 156 pika, janë proceduar penalisht 69 subjekte dhe 67 persona.