Meta me nënkryetarin e Parlamentit të Polonisë: Bashkëpunim në ekonomi e arsim

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë, Nën-Kryetarin e Parlamentit të Polonisë, Jerzy Wenderlich.Meta shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë pune të një delegacioni të nivelit të lartë të Parlamentit të Polonisë dhe vlerësoi traditën e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë. Në këtë drejtim, z. Meta theksoi se “ekziston infrastruktura për ti forcuar ato më tej, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe arsimore”.Gjithashtu Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i jep Shqipërisë veçanërisht në kuadër të strukturave të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe nënvizoi se ekspertiza polake do të çmohet nga Shqipëria me qëllim mbarëvajtjen e procesit të integrimit evropian.Z. Wenderlich shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Shqipëri dhe vuri në dukje se Shqipëri ka shumë miq në Poloni. Wenderlich përcolli me këtë rast urimet më të ngrohta të Kryetares së Parlamentit të Polonisë znj. Ewa Polacz, duke shtuar se “znj. Polacz, ashtu si edhe ju, beson fort në rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”.Ai shprehu gjithashtu vlerësimin për progres-raportin pozitiv të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe shprehu gatishmërinë për shkëmbimin e eksperiencës polake në shërbim të procesit të integrimit.Z. Meta dhe z. Wenderlich ranë dakort për intensifikimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndër-parlamentare mes dy vendeve, duke ndarë bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy popujve dhe vendeve do të forcohen edhe më tej.