PD: Po shkarkohen heronjtë, po rilind sigurimi i Kadri Hazbiut

Partia Demokratike denoncon shkarkimet masive në policinë shqiptare, si akt i një ndëshkimi kolektiv. Në një deklaratë për mediat deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri theksoi se Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të policisë po dështojnë të paraqesin motive apo arsye ligjore për vendimet e tyre."Janë ata "heronj pa fjalë", të cilët Partia Demokratike dhe Sali Berisha i gjeti në Polici në vitin 2005, u dha besimin dhe mbështetjen e duhur, dhe ata arritën të nxjerrin Shqipërinë nga hartat e trafikut të drogës dhe klandestinëve.Janë ata që e gjetën Adriatikun, një autostradë skafesh e prostitutash dhe e rikthyen në një det të kthjellët. Janë ata që Shqipërisë i bënë nder, e për shkak te përkushtimit të tyre sot shqiptarët qarkullojnë pa viza si qytetarë të denjë të një Evrope njerëzish të lirë.Ju ftoj të kërkoni në Google emrat e tyre, dhe do të gjeni që janë ata që kanë pritur e shoqëruar si të barabartë gjatë këtyre 8 viteve, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Drejtorin e Policisë Kriminale Britanike SOKA, të asaj gjermane BundeskriminalAmt, të policisë Italiane e të Karabinierëve, ata që janë në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar” tha Strazimiri.Gjithashtu ai theksoi se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit, që sot ndodhen nën një sulm të paprecedent anti-ligjor, siguron opinionin publik dhe zullumqarët që kërkojnë të rilindin Kadri Hazbiun dhe Sigurimin e Shtetit, se ne asnjë rast, asnjë hap prapa ky vend nuk do të sprapset në rezultatet dhe standardet e arritura me aq mund e djersë, e herë - herë edhe me gjak.