Raporti i BSH: Rritet besimi te ekonomia, por niveli nën mesatare
Rritet besimi i bizneseve dhe konsumatoreve tek ekonomia gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, megjithatë përsëri është nën mesataren. Sipas të dhënave të raportit të publikuar nga Banka e Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi nivelin 87.9 në tremujorin e tretë të vitit 2013, në rritje me rreth 10.3 pikë përqindjeje.Kjo rritje e besimit ka ardhur si pasojë e rritjes në sektorin e shërbimeve dhe të industrisë. Nga ana tjetër, përkeqësimi i shënuar në treguesin e besimit të ndërtimit dhe të konsumatorit kontribuoi negativisht në treguesin e përgjithshëm për ekonominë.Megjithatë pavarësisht kësaj rritje të ndjeshme gjatë këtij tremujori besimi i biznesve dhe konsumatorëve është rreth 12.1% nen mesataren e tij afatgjate. Treguesi i besimit të konsumatorëve ndërkohë sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë vlerësohet se ka rënë me 0.9 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2013, pasi pësoi rritje dy tremujorët e mëparshëm.Nga të dhënat del se konsumatorët janë më optimistë për situatën e përgjithshme financiare dhe situatën e përgjithshme të ekonomisë në vend, e megjithatë e kanë vlerësuar të përkeqësuar situatën e tyre për të bërë blerje të mëdha dhe situatën e të ardhurave në krahasim me shpenzimet .Treguesi i besimit në sektorin e industrisë u përmirësua me rreth 1.5 pikë përqindje, në tremujorin e tretë të vitit 2013 . Sipas të dhënave Rreth 11.4% e bizneseve në sektorin e industrisë kanë kryer investime të reja në gjashtë muajt e fundit.Investimet e reja u përqendruan kryesisht në blerjen e pajisjeve teknologjike. Ndërkohë që sipas vrojtimit vlerësohet se për gjashtëmujorin e ardhshëm, 14.7% e bizneseve pritet të kryejnë investime të reja, në struktura dhe pajisje teknologjike.Treguesi i besimit në shërbime u përmirësua në tremujorin e tretë, pas rënies me rreth 4.9 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2013. Ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve kanë vlerësuar të përmirësuara pothuaj të gjitha aspektet e biznesit të tyre.Vlerësimet e bizneseve për investime të reja të kryera gjatë gjashtëmujorit të fundit, janë pesimiste: 82% e ndërmarrjeve nuk kanë kryer investime.Bizneset shprehen pesimiste për kryerjen e investimeve të reja, në struktura apo në pajisje teknologjike, edhe për gjashtëmujorin e ardhshëm. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit nga ana tjetër ka shënuar rënie me rreth 4.4 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2013.