“Këshilli në dy qeveri”, dorëhiqet Kosovrasti. Dalipi: Shumica mblidhet të premten

Tensionet mes forcave kryesore politike janë zhvendosur në nivel lokal. Këshilli Bashkiak i Tiranës pas muaj bllokimi është futur në një kaos, ku këtë javë anëtarët e këshillit janë njoftuar për dy mbledhje.Mbledhja e thirrur nga zv/kryetari i Këshillit Bashkiak Zamir Ndroqi, u mblodh mbrëmjen e sotme në orën 18:15 me pjesmarrjen e 14 këshilltarëve të djathtë.Në mbledhjen e sotme, Njazi Kosovrasti njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Këshillit, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës në Këshillin Bashkiak, pas bashkimit të këshilltarëve të LSI-së me ata të PS-së.“Me synimin që të përmirësojmë klimën e komunikimit dhe mbarëvajtjen e punëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tu shërbejmë sa më mirë qytetarëve të kryeqytetit, unë kam njoftuar në 26 shtator, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës njoftoj dorëheqjen nga detyra”- deklaroi Kosovrasti.Sipas këshilltarëve të djathtë, mbledhja e muajit maj - ku ishin prezentë vetëm këshilltarët e majtë dhe bënë shkarkimin e kryetarit Njazi Kosovrasti e në vendin e tij zgjodhën këshilltarin e PS-së Aldrin Dalipi - është e paligjshme.Ndroqi apeloi këshilltarët e majtë që të bashkëpunojnë për të zgjidhur ngërçin e krijuar, në mënyrë që siç tha ai, Këshilli të nisë punën për vendimet të rëndësishme për qytetarët e Tiranës.Për çështjen e shkarkimit dhe votimit të kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak të Tiranës të dyja palët i janë drejtuar prokurorisë për të bërë hetime. Po ashtu kjo çështje ka përfunduar edhe në gjykatë, por ende nuk është dhënë një vendim përfundimtar.Këshilltarët e majtë që tani përbëjnë shumicën, kanë njoftuar se do të mblidhen nesër.Kreu i të majtëve, Aldrin Dalipi, i cili ka thirrur dhe mbledhjen në një reagim të tij në rrjetin social twitter e cilësoi të pavlerë dorëheqjen e ish-kryetarit te shkarkuar Kosovrasti.“Keshilltaret e majte shprehin keqardhjen per shpalljen e doreheqjes se nje ish kryetari te shkarkuar.Te kerkonte ndjese 4 muaj peng KB! Doreheqja e ish kryetarit te shkarkuar Kosovrasti dhe "leksioni ligjor",pa vlere.Qytetaret e TR nuk degjuan ndjesen per 4 muaj pa keshill! Neser shumica fton ne mbledhjen e KB ora 18 pakicen ne sallen e keshillit.Koha per te lene pas komplekset politike, ti sherbejme qytetareve!” shkruan Dalipi.