Venger kundër përfshirjes së Januzajt në kombëtaren angleze

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka mbështetur mendimin e lojtarit të skuadrës së tij, Xhek Uilshir, i cili një ditë më parë ka deklaruar se vetëm anglezët duhet të luajnë për Anglinë. Një debat i tillë u nxit në mediat angleze pas interesimit të shfaqur nga Federata angleze e futbollit për talentin e ri të Mançester Junajtedit, kosovarin me nënshtetësi belge, Adnan Januzaj."E mbështes mendimin e Uilshirit. Unë po ashtu vazhdimisht kam thënë gjiothmonë se Anglia duhet të ketë edhe trajner vendas. Nëse nuk kemi një qëndrim të qartë rreth kësaj çështje, atëherë edhe kombëtaret do të bëhen sikurse klubet. Do t'i blejmë lojtarët me pasaporta" ka theksuar Venger.Sipas strategut francez duhet të vendosen kufizimet e qarta rreth kësaj çështje."Personalisht mendoj se duhet të konfirmohet qartazi se kush e përbën të qenit anglezë dhe më pas ky model do të zbatohet edhe tek të tjerët. Në skuadrën time kam lojtarë me tre nënshtetësi të ndryshme. Vazhdimisht i pyes se si identifikohen. Për shembull, ka lojtarë të lindur në Afrikë, të cilët kanë ardhur në Evropë dhe kanë jetuar për vite të tëra në një vend, pastaj për shkak të punës janë detyruar të transferohen diku tjetër për të jetuar dhe në këtë mënyrë kemi djem që kanë nga tri pasaporta. Njëra nga punët e politikanëve do të duhej të ishte identifikimi i kombësisë së një personi, ngase njerëzit jorrallë ndjehen dhe identifikohen ndryshe nga ajo çfarë shkruhet në pasaportën e tyre. Duhet të vendoset nëse duhet kaluar një kohë të caktuar në një vend për ta fituar të drejtën e paraqitjes për atë kombëtare. Mendoj se pikërisht si në rastin e Januazajt, marrja e pasaportës për vetëm gjashtë muaj nuk është e drejtë" ka përfunduar ai.