Rendi dhe siguria, Rama takim me Tahirin, Burgaj dhe Çaushaj

Ministria e Brendshme, ka qenë institucioni që kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të bëjë dhe vizitën e parë pas marrjes së detyrës, për të realizuar një takim kokë më kokë me Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Takimi ka zgjatur për më shumë se 60 minuta dhe i pranishëm ka qënë edhe Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj. Ai është larguar nga takimi pas rreth 30 minutash bisede kokë më kokë me Kryeministrin dhe Ministrin Tahiri. Në kohën që u largua Burgaj, në Ministrinë e Brendshme është paraqitur drejtori i policisë së Tiranës, Bernard Caushaj.

Nuk ka patur asnjë komunikim me mediat dhe asnjë deklaratë nga Ministria e Brendshme, por besohet se situata e rendit dhe sigurisë në vend si dhe reforma në polici ka qënë temë e takimit.

Ndërkaq në kohën që zhvillohej ky takim, Ministria e Brendshme ka njoftuar për një operacion të rëndësishëm, që ka vënë në pranga një bandë të trafikimit të disa veprave të artit.

"Një thesar i vërtetë veprash arti është sekuestruar" deklarohet nga Ministria e Brendshme.