Ahmetaj: Pas 2 vitesh nis rritja ekonomike. 6 milion dollarë borxh kompanisë celulare
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj ka garantuar sot se pas 2 vjetësh do të nisë rritja ekonomike e vendit.Duke folur gjatë një takimi me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregëtisë, Ahmetaj theksoi se pavarësisht sakrificës që nevojitet qeveria do të arrijë me sukses rimëkëmbjen e ekonomisë.“Është e vërtetë që ekonominë e gjetëm me keq seç e kishim menduar, nuk kam frikë ta pranojë këtë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë sakrifice do kalojmë por në krye të dy viteve do filloj rritja ekonomike, do kemi financa dhe buxhet të shëndetshëm, pa kthim mbrapa"tha Ahmetaj.Ahmetaj gjithashtu bëri publik edhe një nga borxhet që ka qeveria e mëparshme i ka telefonive celulare.“Kemi pasur qeveri që ndër vite ka akumuluar borxhe ndaj biznesit, që shkojnë deri në 600 milionë dollarë, që janë krijuar nga detyrime ligjore të papaguara, shërbime qeveritare të papaguara. Janë 6 milionë dollarë të papaguara për katër vjet, njërës prej kompanive celulare” tha Ahmetaj.Ministri Ahmetaj ripërsëriti angazhimin e qeverisë për të shlyer të gjitha borxhet që shteti i ka biznesit.“Për ne është e qartë që ekonomia shqiptare nuk mund të rritet me borxhe. Kjo ekonomi nuk përfiton më aq shumë remitanca sa ka marrë dikur; as eksportet nuik janë aq të forta. Atëherë, ku do të referohemi për zhvillim? Do referohemi tek sipërmarrja, duke krijuar një klimë të re me njeri tjetrin ku të dyja palët të mbështesin njeri tjetrin. Ne do të vazhdojmë të zhbëjmë ato kontrata që janë firmosur në kundërshtim me interesat e publikut dhe të ligjit ndërsa, për të shmangur arbitraritetin, kompanitë shqiptare do të auditohen nga kompanitë e mëdha të kësaj fushe” tha AhmetajAi rikujtoi gjithashtu se më datën 28 tetor do të mblidhet edhe Këshilli Ekonomik Kombëtar, në krye të cilit do jetë vetë Kryeministri dhe ministrat përkatës.