Nishani me kryediplomatët e Lituanisë e Rumanisë: Shqipëria do vazhdojë reformat për integrimin

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, priti Ministrat e Punëve të Jshtme të Lituanisë dhe Rumanisë, Linas Linkevicius dhe Titus Corlatean.Presidenti Nishani e cilësoi mbështetjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përmbushje të angazhimeve të duhura drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, si shprehje të politikës së vazhdueshmë të zgjerimit dhe veçoi mbështetjen dhe inkurajimin e Lituanisë dhe Rumanisë si shumë të rëndësishme dhe efektive, sepse vjen nga vende me histori të ngjashme, të cilat ofrojnë përvoja me vlerë konkrete, përveç vullnetit politik, duke garantuar se shqiptarët do të jenë përherë mirënjohës për ndihmesën e tyre.Ministri Linkevicius, pasi nënvizoi se Shqipëria është pjesë natyrore e Evropës, e uroi Presidentin Nishani për zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në Shqipëri dhe shfaqi optimizëm se klasa politike do të vazhdojë dialogun politik normal dhe konsensusin e nevojshëm për çështjet që lidhen me integrimin evropian, se qeveria do të vazhdojë në thellimin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe shtoi se pret që Komisioni Evropian të njohë arritjet e Shqipërisë në raportin e radhës.Ministri Corletean, pasi garantoi për vazhdimin e mbështetjes rumune për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, informoi se është në favor të kryesimit të radhës së SEECP nga Shqipëria dhe më tej, vuri në dukje se forcimi i bashkëpunimit dhe dialogut rajonal, përfshirja dhe jo përjashtimi janë parimet mbi të cilat bazohet veprimtaria e SEECP.Presidenti Nishani vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe shprehu besimin se vendi do të vazhdojë në rrugën e duhur të rritjes së standardeve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian.“Udhëtimi evropian nuk është i lehtë dhe as i shkurtër, por është alternativa jonë e vetme që garanton të ardhme të sigurt, standarde evropiane në institucione dhe shërbime për qytetarët dhe, për këto arsye, gëzon mbështetje të plotë publike dhe politike”, – u shpreh Kreu i Shtetit.Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, për një rajon në paqe e stabilitet të qëndrueshëm, i cili do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe shtoi se Kosova e pavarur provoi se ishte zgjidhja e duhur dhe e vlerësoi përfshirjen e saj në nisma rajonale e më gjerë si një politikë largpamëse në shërbim të vetë qytetarëve të saj, Rajonit dhe më gjerë.