Gjermeni pret Ambasadorin e Bullgarisë: Memorandum bashkëpunimi në fushën e turizmit
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Bullgarisë , z. Dimitar Arnaudov. Në takim palët ranë dakord ndër të tjera që të nisë puna për hartimin e një memorandumi të ri bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e turizmit.Ministrja Gjermeni theksoi se do të ketë gadishmëri dhe përkushtim nga pala shqiptare në hartimin e dokumentit, por edhe në zbatimin e tij në praktikë. Gjithashtu, Ministrja i kërkoi Ambasadorit Arnaudov mbështetje për të promovuar imazhin e Shqipërisë turistike në Bullgari dhe për thellimin e bashkëpunimit mes operatorëve turistikë të t ë dy vendeve.Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, kërkoi gjithashtu asistencën e palës bullgare për realizimin e materialeve promovuese të Shqipërisë në gjuhën bullgare, ndërsa Ambasadori Arnaudov shprehu gadishmërinë për të ndihmuar në këtë drejtim.Ambasadori Arnaudov theksoi gjithashtu se Shqipëria dhe Bullgaria mund të bashkëpunojnë për të realizuar projekte të përbashkëta të BE-së në fushën e turizmit, ndërsa shprehu mbështetjen e plotë për perspektivën evropiane të vendit tonë .