Panariti me homologun hungarez: Bashkëpunim në administrimin e ujërave e industrinë ushqimore
Gjatë qëndrimit të tij në samitin botëror të ujit, Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe i Administrimit të Ujërave,Edmond Panariti, u prit në selinë e Ministrisë së Jashtme të Hungarisë nga Ministri i Jashtëm hungarez , Janos Martonyi.Në këtë takim ministri i jashtëm i Hungarisë, e uroi z.Panariti për zgjedhjen e tij në postin e ministrit të Bujqësisë si dhe i garantoi mbështetjen e Hungarisë për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE këtë vit.
Ministri Panariti e informoi homologun e tij Martonyi, për ritmin e reformave të ndërrmarra nga Qeveria e re e Shqipërisë dhe sidomos reformat në sistemin e Drejtësisë dhe marrjen e masave të menjëhershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Po ditën e sotme, ministri Panariti u prit edhe nga ministri i Bujqësisë i Hungarisë, z . Janos Fazekas, me të cilin u diskutua për bashkëpunimin e dy vendeve në fushat e administrimit të ujit dhe të industrisë ushqimore si dhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re në fushën e bujqësisë.
Ministri Panariti gjatë qëndrimit të tij në Budapest u takua edhe me Ministrin e Energjisë, Ujërave dhe Punëve Publike të Kuvajtit, Abdulaziz Abdullatif al-Ibrahim me të cilin bisedoi për bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e ujërave dhe bujqësisë.