Nis “lufta” mes qeverisë dhe Bashkisë, Rama anulon qëndrën tregtare te Xhamia e Madhe

Sikundër kishte deklaruar gjatë fushatës elektorale, por edhe pas marrjes së detyrës si Kryeministër, Edi Rama nis aksionin për marrjen në kontroll të territorit të vendit. E ndërsa aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje është shtrirë në të gjitha njësitë vendore, në mënyrë të veçantë në zonat bregdetare, kryeministri Rama ka shpallur si emergjencë marrjen në mbrojtje të tre qyteteve me vlera kulturore dhe historike për vendin tonë dhe më gjerë, Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Ndërsa foli në një konferencë për mediat pas takimit që pati me Këshillin Kombëtar të Territorit, Rama tha se në tre këto qytete të trashëgimisë kulturore nuk do të jepet asnjë leje ndërtimi për projekte individuale."Trashëgimia kulturore është në rrezik shumë të madh. Kemi vendosur praktikisht të bllokojmë çdo proces për leje të reja për objekte individuale apo grup objeketesh për Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Berati dhe Gjirokastra janë shembuj të rrallë dhe pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare, por dhe botërore. Por paraqesin sot shëmbëlltyrën më kuptiplotë të rrënimit. Gjirokastra sot gjendet në listëne kuqe të UNESCO-s. Do të thotë 18 muaj kohë për t’u rikthyer në listën e vlerave të trashëgimisë botërore apo për të dalë përfundimisht jashtë. Berati dhe Gjirokastra janë pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Kemi detyrimin t’i mbrojmë me çdo mjet. Nëse vazhdohet kështu do të zhduken përfundimisht pas gërmadhave të rrënimit. Do përpihet e tëra nga ndërtesa betoni, që aktualisht po ngrihen. Për shkak të çorodisë dhe batërdisë së gjithë ndërtimeve me leje apo leje Kalaja e Krujës rrezikon dëmtim të parikuperueshëm të vlerave tësaj historike dhe fizikisht rrezikon të dëmtohet sa mos njihet më. Duke qenë se jemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë përfaqëson Kruja ne kemi ngritur një hartë masash emergjente të mbrojtjes dhe plan rehabilitimi. Me vetëdije kemi vendosur të marrim në mbrojtje këto 3 qendra të trashëgimisë tonë kulturore. Nuk janë të vetmet masa. Shumë shpejt do ketë të tjera masa. Kurora e Tiranës do jetë në fokus. Vendvarrimi i Skënderbeut apo dhe kodra e kalasë ngjitur me të dëmtuar nga një batërdi asgjësuese. Të tjera pika të nxehta në territor sot gjenden nën kërcënim dhe do ketë të tjera masa. Për këtë do mbështetemi në institucione përgjegjëse"tha Rama.Kryeministri Rama theksoi se domosdoshmërinë e ndërprerjes së ndërtimeve pa leje në gjithë territorin, ndërsa nuk ka lënë pa bërë përgjegjëse qeveritë e mëparshme qofshin të majta apo të djathta, për atë që ai e cilësoi barbari ndaj territorit.“Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve ka qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike sikurse edhe me procese që herë me leje, herë pa leje janë zhvilluar nën një rrjedhë që duhet të ndërpritet.Një nga pikat kyçe të zhvillmit tonë strategjik dhe afatgjatë janë të shumëllojshme. Kemi ndotje e konsiderueshme lumenjve, lagunave, ujërave të bregut, mbetje të ngurta të pakontrolluara, shkarkime të konsiderueshme në lumenj apo dhe direkt në det në segemente të rëndësishme, shkurtime të furnizmit me ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet, ndërhyrje në diga, që kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin, shpyllëzime të jashtëzakoshme për përmasën e gjelbër të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe në kullota që ndikojnë në cilësinë e tokës”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, si “rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të pakontrolluar dhe kaotik, kemi pasoja si: humbjen e biodiversitetit, gjueti me peshkim të paligjshëm, tejkalim në përdorimin e burimeve ujore, nxjerrje të pakontrolluar. Ndërtimet e paligjshme pasoja, sepse janë bërë në mënyrë barbare” nënvizoi Kryeministri.Sipas shefit të qeverisë, degradimi i zonave arkeologjike janë të padenja për një popull që aspiron Europën.“Degradim në zonat arkeologjike. Mungesë e plotë e pranisë së institucioneve. Në gjithë këtë tërësi problemesh, që nuk janë aspak të denja për një vend që zhvillon jetën e tij në mes të Europës, kemi një dukuri paralele; atë të pronave si pasojë e pronësisë së papërcaktuar mbi tokën, zotërimin e paligjshëm në pjesë të tëra të tokës, përkthyer në ndërtime asetesh të paligjshme, që kanë kërcënuar ndjeshëm të ardhmen dhe nga ana tjetër kanë vendosur në kushte të vështira qendrat ekzistuese urbane. Është fakt që sikundër disa nga brigjet ku ka dëme të pariparueshme për rikthimin e plotë të gjendjes në normalitet si plazhi i Golemit, apo ndotje të rënda si në zona të Adriatikut është nga ana tjetër absolutisht e besueshme se jemi në kohë për ta ndalur këtë rrënim, që kjo inerci të vazhdojë e të prekë e shkatërrojë si një kancer pjesën tjetër të organizmit tone"tha më tej ai.Duke mbetur në zhvillimet në kryeqytet, Rama njoftoi anullimin e një pjesë të projektit të ndërtimit të Xhamisë në sheshin e Namazgjasë në Tiranë. Rama tha se Këshilli ka konfirmuar pjesën e parë të projektit, pra lejimin e ndërtimit të Xhamisë, ndërsa anullon pjesën e dytë të projektit, duke theksuar se nuk do të ndërtohet asgjë përveç objektit të kultit. Nderkaq ai paralajmeroi dhe rishikimin e planit të zgjatjes së Bulevardit të Tiranës në mbledhjet e ardhshme të KKT-së.“Ngjallimi i Namazgjasë, leja ndërtimore komplekse dhe ndërtimi i ndërtesës 3, 4, 6 apo 3 kate nëntokë, KKT, konfirmon pjesën e parë të kësaj leje ndërkohë që anulon pjesën e dytë të lejes. Pra i hapim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin godinë me kate që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit me një tjetër arsye për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit në kryeqytet. Aty nuk do të dërtohet gjë veç objektit të kultit”sqaroi Rama.Jashtë vëmendjes së takimit të Kryeministrit me KKT nuk ka mbetur dhe siguria rrugore, ku Rama paralajmëroi lirimin e trasesë Tiranë-Durrës."Jo vetëm qeveria, por drejtësia. Shqiptarëve iu është cënuar siguria e jetës si qytetarë, iu është kërcënuar hapatas ekonomia e tyre si popull, duke iu grabitur territore në rrugët kombëtare. Duhet lirimi i rrugëve kombëtare, të cilat i kanë bërë të pazhvilluara në mënyrë të qëllimshme dhe burim rreziqesh dhe aksidentesh. Lirimi i trasesë Tiranë-Durrës ku po ndodhin gjëra të paimagjinueshme" u shpreh ai.Kryeministri theksoi gjithashtu se nga sot ka filluar me hartimin e një Plani të Përgjithshëm të Territorit, duke premtuar plan kombëtar për territorin brenda mandatit qeverisës."Së fundi, fillimi i procesit për planin kombëtar. Legjislacioni ekzistues parasheh që Shqipëria të ketë një zhvillim me plan të përgjithshëm kombëtar. Ministria e Zhvillimit Urban është ngarkuar të bëjë këtë. Shqipëria, brenda këtij mandati dhe ne shpresojmë që deri në gjysmë të mandatit të ketë një plan kombëtar të territorit. Interesat private nuk do të vendosen më mbi interesat kombëtare dhe ato do të bëhen në funksion të zhvillimit".

Në vijim Kryeministri iu përgjigj dhe pyetjeve të gazetarëve mbi problematika të ndryshme:

Sot është ndërmarrë një aksion nga Policia e Shtetit për bllokimin e një ndërtese 16-katëshe në Tiranë. Pse më parë nuk është vepruar?

Siç e dëgjuat sot, KKT, ka marrë vendimet që me ligj ka në kopetencë të marrë. Brenda pak kohe, çështje orësh apo ditësh, qeveria do të marrë vendimin për ti hapur rrugë njën procesi që nuk ndalet më. Duke I bashkuar dikasteret në një task-force që do të ketë në zemrën e vetë, ketë plan dhe energjinë për zbatimin e ligjit. Ministria e Brendshme ka marrë një rol pasi ndërtimet pa leje janë vepër penale dhe me ligjin e ri, siç e kemi premtuar, shumë nga përgjegjësitë e shpërndara do të jenë përgjegjësi direkte e Policisë së Shtetit. Do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë kthim pas. Ne do të legalizojmë shtëpitë në zonat informale, që kanë ardhur për të ndërtuar një jetë më të mirë kur shteti nuk ishte në gjendje të bënte gjë për ta. Nga ana tjetër do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit, atë që është marrë me forcë, për tu kthyer brigjeve të deteve tona atë që u është shkëputur me forcë. Ky aksion do të shtrihet deri kur rendi mbi territorin të jetë vendosur.

A u diskutua rishikimin i projektit për Bulevardin e Tiranës?

Do të jetë pjesë e një mbledhjeje tjetër. Sot diskutuam për këto që thashë. Ne do të marrin të gjithë përgjegjësinë tonë për të ndryshuar rrjedhën e zhvillimit të vendit. Ne do të bëjmë që zhvillimi i territorit të shkojë në interes kombëtar, e jo në atë të privatit. Epoka e të fortëve është mbyllur në 23 qershor dhe pas kësaj dite ka nisur një epokë e re dhe njerëzit do të gjykojnë punën tonë.

Nëse brenda muajve të parë nuk do realizohet plani, çfarë do bëhet me drejtueset e reja?

Së bashku ti mbështesim institucionet dhe drejtuesit. Realizimi i planit apo jo nuk është fati i drejtuesve por i vendit tonë i buxhetit tonë.

Çfarë do të bëhet për këto ndërtimet që janë në proces legalizimi. Dhe partitë që nuk kanë marrë poste sipas marrëveshjes dhe është emëruar një nga partia G99?

Nuk ka asnjë zv/ministër nga ndonjë parti që quhet G99, por janë vendosur në atë që ata ofrojnë në bazë të programit tonë. Shikoni CV e zv/ministrit që kemi vendosur aty dhe ne kemi kërkuar që të jetë pjesë e grupit të rimëkëmbjes së vendit tonë.