Sahit Dollapi jep dorëheqjen nga drejtor i CEZ Shpërndarje

Dorëhiqet administratori i kompanisë CEZ Shpërndarje Sahit Dollapi.Dorëheqja e Dollapit është bërë gjatë raportimit në Entin Rregullator të Energjisë për ecurinë e punës në krye të CEZ Shpërndarje, ndërsa disa orë më pas ajo u pranua edhe nga ERE."Pas 9 muajve në Administrim të Përkohshëm, qeveria ka vendosur t’i japë fund kësaj periudhe tranzitore, me kërkesë të Entit Rregullator të Energjisë për nisjen e procedurave të shtetëzimit të Shoqërisë.  Si një njohës me eksperiencë i sistemit energjitik dhe duke i qëndruar besnik bindjes time se zgjidhja përfundimtare e problemeve në këtë sistem është privatizimi dhe liberalizimi i tregut, unë kam vendosur t’i paraqes Entit Rregullator dorëheqjen time nga detyra e Administratorit të Përkohshëm të CEZ Shpërndarje. Ju siguroj, se deri në momentin e emërimit të drejtuesit të ri për CEZ Shpërndarje, unë do të kryej dhe ndjek cdo detyrë timen, si në ditën e pare të punës" ka theksuar Dollapi.Gjatë analizës së punës 10-mujore të CEZ-it, Dollapi është shprehur se ka punuar me përkushtim që kur është zgjedhur si administrator i CEZ Shpërndarje."Gjatë këtyre muajve janë marrë masa për parandalimin e rrënimit të shoqërisë dhe është stabilizuar situata e furnizimit me energji. Nuk është e lehtë që të administrosh një kompani me kaq probleme sa CEZ Shpërndarje. Humbjet në rrjet janë ulur me 34.5 % në krahasim me një vit më parë .Kemi faturuar më shumë energji, kemi ulur defektet dhe kemi hedhur më shumë energji në treg. Kompanisë KESH i janë likujduar 80 milionë dollarë.  Shpenzimet janë 20 milionë dollarë më pak se një vit më parë ndërsa të ardhurat janë rreth 30 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. Është zgjidhur pjesa më e madhe e ankesave, i është prerë energjia 373 829 debitorëve. Kemi  investuar rreth 1.5 miliard lekë në rrjetin e shpërndarjes” u shpreh Dollapi.Anëtarët e bordit të ERE-s ndërsa kanë vlerësuar  punën e Sahit Dollapit si Administrator i CEZ Shpërndarje  janë shprehur se do të mbahet një mbledhje tjetër për të vendosur për administrimin e CEZ-it.Enti Rregullator i Energjisë brenda tre ditëve pret kandidaturat për postin e administratorit të CEZ Shpërndarje ndërsa pas 6 ditësh do të përzgjedhë edhe kandidatin fitues.