Historia e 78-vjeçares në "Ora News" reagon Basha: Masa për strehimin e saj

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka reaguar për rastin e 78-vjeçares Petrite Xhaferri, e cila prej 20 ditësh jeton në trotuar. Basha ka sqaruar se ky rast po shihet me përparësi dhe do të jetë vetë zëvendësi i tij, Eno Bozdo, i cili po merret me rastin e të moshuarës. Basha u shpreh se kjo histori është edhe pasojë e konflikteve midis familjarëve.

“Që dje Zv.kryetari i Bashkisë po merret me këtë çështje. Në bazë të informacioneve e moshuara nuk ka marrëdhënie të mira me familjen e saj por megjithatë ne po marrim të gjitha masat për strehimin e saj” tha Basha.

Por pavarësisht e moshuara Xhaferri ka gdhirë ditën e 20-të pa një çati në kokë. Ajo shprehet se ditët dhe netët po bëhen mjaft të vështira. Ajo apelon përsëri që problemi i saj të marrë një zgjidhje, duke i siguruar një shtëpi.

E bija Majlinda tregon sesi ka fjetur në 6 metra katrorë me mamanë e saj. Ndërsa sqaroi se ditën e hënë kanë ardhur dy punonjës të Bashkisë, por pa i gjetur një zgjidhje përfundimtare problemit.

Petrite Xhaferri jeton prej 20 ditësh në trotuar, pasi është nxjerrë me forcë nga shtëpia ku banonte prej 50 vitesh. Kjo pronë pretendohet nga pronarët e saj, por si pasojë e këtij konflikti rrezikojnë që 7 familje të mbesin në mes të katër rrugëve.

Deklarata e Bashës u bë pasi kryebashkiaku Basha pa nga afër rikonstruksionin dhe instalimin e sistemit të ngrohjes në kopshtin 39 në Tiranë.“Në njësinë bashkiake nr.4, së bashku me kryetarin e kësaj njësie bashkiake dhe banorët, ne kemi nisur një sërë projektesh të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve por edhe cilësisë së jetës së vogëlushëve. Sot, përurojmë përfundimin e njërit prej këtyre investimeve që është kopshti nr.39, i cili është rindërtuar në të gjithë parametrat e tij, mundëson një kapacitet trajtimi të 120 fëmijëve, ka sistem ngrohje me peleta, është rehabilituar në të gjithë komponentët e sallave të qëndrimit, sallave të fjetjes, kuzhinës dhe çdo parametër tjetër” u shpreh Basha.Ai theksoi se në vitin 2014, të gjithë të gjitha kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë sistem të ngrohjes dhe 95% e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme.“Natyrisht, nuk ndalemi këtu! Sot, jemi në përfundim të ngrohjes në 5 kopshte. Brenda këtij viti, zbatimi i sistemit të ngrohjes në të gjithë çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Tiranës do të jetë në avancim të plotë dhe brenda vitit të ardhshëm, të gjithë kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë 100% ngrohje, sikundër 95% e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Ky është një objektiv madhor i Bashkisë së Tiranës, angazhim financiar, projektues dhe ndërtues. Sigurisht, është një objektiv i kësaj administrate por që në fakt duhej të ishte përmbushur prej kohësh. Nga kjo pikëpamje, Tirana e shekullit të XXI kishte pra një sfidë të madhe për të mbyllur, që është pikërisht sistemi i ngrohjes në kopshtet, çerdhet, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Me punë dhe jo me fjalë, po provojmë se kur ne vendosim një objektiv, kur e kthejmë atë në prioritet, asgjë nuk na pengon që këtë prioritet ta plotësojmë, madje as mangësitë dhe as defektet e së shkuarës” deklaroi kryebashkiaku Basha. Më shumë për historinë e 78-vjeçares Petrite Xhaferri