Dëshmi të reja për "Agimin e Artë", kishte udhëzime për të vrarë këngëtarin Fissas

Ajo që hetuesit e çështjes së “Agimit të Artë” besonin në organizimin e kësaj partie dhe për vendimarrjen e akteve të dhunës duket se po provohet. Dy dëshmitarët e fundit  të marrë në mbrojtje kanë nxjerrë në dritë fakte të reja, që sipas mediave greke do të sjellin një tjeter furtunë arrestimesh.Një nga dëshmitarët tha se anëtarët ishin udhëzuar për të vrarë këngëtarin Pavlos Fissas, i cili ishte objektiv në zonën e Pireut. Sipas këtij dëshmitari, vrasja e Fissas, ishte vendosur edhe me miratimin e kryetarit Nikos Mihaloliakos.  Ai ka treguar se deputeti Giorgos Germenis e kishte mësuar për të vrarë, ndërsa numri dy i partisë Ilias Kasidiaris, që u lirua me kusht, iu jepte militantëve orientimin nazist dhe i mësonte të përshëndesnin në mënyrë naziste.Sipas informacioneve, nuk përjashtohet që dëshmitë e reja të hapin rrugën për ndjekje të reja penale kundër deputetëve neonazistë.  Dëshmitari tregon, sesi Kisha i shërbente organizatës, duke i vënë në dispozicion para nga fondet e besimtarëve. Ai ka folur gjithashtu edhe për përfshirjen e organizatës në trafik droge.Një tjetër dëshmitar tha se ai kishte dashur prej shumë kohësh të dëshmonte për “Agimin e Artë”, por përfshirja masive e policisë në “Agimin e Artë” e kishte frikësuar atë të bënte një gjë të tillë. Ai tregoi për mënyrën e stërvitjes, për të mësuar artin luftarak dhe mes të tjerash tha se në atë parti jetoi tmerrin. Një organizim i ashpër, me rregulla ushtarake.  Sipas dëshmitarit ai kishte marrë urdhër nga deputeti Janis lagos për të bastisur qindra dyqane, si dhe për sulme të tjera ndaj emigrantëve.Ndërkohë kryetari i “Agimit të Artë” Nikos Mihaloliakos, zv.kryetari Christos Papas dhe deputeti Jannis Lagos janë në burgun e sigurisë së lartë në Korridhalo.