Thaçi-Daçiç takohen në Bruksel. Koçijançiç: Zgjedhjet e 3 nëntorit, temë kryesore
Mes një klime të acaruar sot në Bruksel, do të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.Në takimin e ftuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është thënë se do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve e në veçanti çështja e zgjedhjeve komunale të tre nëntorit në Kosovë.Kjo sipas mediave në Prishtinë do të jetë një nga pikat më të nxehta të diskutimit, në një kohë kur krerët serbë kanë paralajmëruar vizita të reja në Kosovë. Presidenti Tomisllav Nikoliç ka paralajmëruar vizitën më 10 tetor, kurse zëvendëskryeministri, Alleksandar Vuçiç, më 23.Ndërkohë Bashkimi Evropian ka konfirmuar se temë kryesore e takimit të sotëm midis kryeministrave të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, do të jetë përparimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe përgatitjet për zgjedhjet e 3 nëntorit.“Zonja Ashton ka ftuar kryeministrat Dacic dhe Thaçi për të rishikuar përparimin që është bërë në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu, veçanërisht në prag të përgatitjeve për zgjedhjet e 3 nëntorit – kjo do të jetë tema kryesore. Ne gjithmonë themi se dialogu vazhdon edhe në dialog teknik dhe politik. Zonja Ashton ka thirrur të dy kryeministrat në Bruksel kur ka qenë e nevojshme”, ka thënë zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijancic.Takimi pasoi kërcënimet e Beogradit se mund të tërhiqet nga bisedimet nëse zyrtarëve të tij nuk u lejohen vizitat në Kosovë gjatë fushatës për këto zgjedhje.Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë ditë më parë se vendimi është marr në kuadër të kornizës ligjore në vend. Ndërsa Beogradi vlerëson se është në pozitë më të favorshme në raport me Prishtinën për darkën e Ashton-it, faktori politik në Kosovë nuk zuri këtë gjë në gojë gjatë fushatës të së dielës. Faktori ndërkombëtar në Prishtinë nuk e ka komentuar zëshëm këtë problematikë.Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja parashikon edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe në këto zgjedhje.