Shqipëria “merr në mbrojtje” Kosovën, reagon ndaj akuzave të Nikoliç në OKB
Shqipëria del në mbrojtje të Kosovës, pas akuzave të rënda të Presidentit të Serbisë në OKB. Misioni shqiptar pranë OKB-së ka hedhur poshtë si të njëanshme, të pavërtetë dhe të pabazuar në asnjë dëshmi, deklaratën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, gjatë punimeve të Sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, lidhur me akuzat e bëra kohë më parë në Raportin për Këshillin e Evropës të senatorit, Marty.Në përgjigjen zyrtare, e cila i është dorëzuar Presidentit të ri të Asamblesë së Përgjithshme, John Ashe, nënvizohet se raporti i senatorit Marty përmban vetëm akuza politike, por jo prova, akuza të cilat nuk janë provuar asnjëherë, duke shtuar se, Shqipëria në vijimësi ka mbështetur fort një hetim gjithëpërfshirës lidhur me akuzat e pabaza të ngritura në raportin Marty, duke miratuar një ligj që lejon hetimet e EULEX-it në territorin e saj.Misioni shqiptar pranë OKB-së thekson në deklaratën e tij se Shqipëria, i ka kushtuar gjithnjë rëndësi të madhe marrëdhënieve me fqinjët, do të vazhdojë e palëkundur “të eksplorojë çdo mundësi për të nisur një debat konstruktiv, për të zhvilluar një dialog real, si dhe për të nxitur një bashkëpunim të ngushtë në çdo aspekt me secilin prej vendeve të rajonit, përfshi Serbinë”.Presidenti i Serbisë Gjatë fjalës së tij para Asamblesë së OKB-së, është shprehur se: “Raporteri Special i Këshillit të Europës, Z. Dick Marty, një senator nga Zvicra, provoi dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) konfirmoi se disa prej udhëheqësve shqiptarë aktualë të Kosovës dhe Metohisë, organizuan pengmarrjen dhe vrasjen e serbëve, organet e të cilëve, u trafikuan dhe u shitën fshehurazi”.Deklarata e plotë e delegacionit të Republikës së Shqipërisë në ushtrim të së drejtës së replikës ndaj deklaratës së Presidentit të Republikë së Serbisë gjatë Debatit të Përgjithshëm të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme, me 25 shtator 2013:“Më 25 shtator 2013, Presidenti i Republikës së Serbisë, Tomislav Nikolic, foli në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme. Në fjalën e tij ai tha, ndër të tjera, se “Raportuesi Special i Këshillit të Evropës, Dick Marty, një senator nga Zvicra, provoi dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) konfirmoi se disa prej udhëheqësve shqiptarë aktualë të Kosovës, organizuan pengmarrjen dhe vrasjen e serbëve, organet e të cilëve, u trafikuan dhe u shitën fshehurazi”.Fatkeqësisht, kjo deklaratë është totalisht e pavërtetë, e anshme dhe nuk pasqyron kurrfarë realiteti.Është gjerësisht e njohur për të gjithë, në Evropë e më gjerë, siç duhet të jetë e njohur edhe për Presidentin serb, se raporti i ish-senatorit zviceran përmbante hamendësime dhe jo prova, se raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) nuk vërtetoi, sepse nuk mund të vërtetonte kurrgjë, ndaj dhe bënte thirrje për hetime.Kur Presidenti serb flet për prova dhe këto nuk ekzistojnë, kur ai shtrembëron realitetin për interes të tij, do të ishte e vështirë të merrej e mirëqenë fjala e tij, siç thotë në ndërhyrjen e tij, se ‘duhet t’i besohet Serbisë të së sotmes dhe të së nesërmes’. Kur ai akuzon liderët e një vendi tjetër për krime që kurrë nuk janë provuar, është edhe më e vështirë t’u besohet fjalëve dhe angazhimeve për ‘ripajtim’ dhe se vendi i tij ‘është i angazhuar për paqe dhe bashkëpunim me fqinjët e tij’, për dialogun, siç bëhet thirrje në fjalën e tij.Për hir të së vërtetës, është fakt se, deri tani, asnjë provë nuk është paraqitur tek askush nga askush, në mbështetje të pretendimeve të ngritura në raportin e ish senatorit zviceran. Rikujtojmë se të njëjtat hamendësime janë hetuar në vitin 2004 nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila arriti në përfundimin se nuk kishte prova që të provonin këto pandehma.Por, meqenëse e njëjta çështja u ringrit nga ish senatori zviceran në vitin 2010, hetimi iu besua një grupi pune special hetimor të Misionit për Shtetin Ligjor të Bashkimit Europian në Kosovë (EULEX). Ky hetim është në zhvillim e sipër.Republika e Shqipërisë, ndërkohë që hedh poshtë pretendimet e ngritura nga z. Marty, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht me Grupin e Posaçëm hetimor të EULEX-it në mënyrë që kjo çështje të sqarohet një herë e përgjithmonë.Në letrën e tij të 6 shkurtit 2012 (S/2012) Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme i shkroi Presidentit të Këshillit të Sigurimit se ‘duke respektuar nevojën për një hetim tërësor si qasja më e mirë për të ndarë realitetin nga fantazia dhe duke besuar plotësisht në legjitimitetin, kapacitetin teknik, profesionalizmin dhe paanshmërinë e EULEX-it për të trajtuar një çështje kaq delikate, Shqipëria ka ftuar zyrtarisht EULEX-in për të ndërmarrë çdo veprim hetimor, sipas nevojës, në territorin e Shqipërisë’. Në lidhje me këtë, ‘ka pranuar të marrë masat e nevojshme ligjore, përfshirë nëpërmjet miratimit të ligjit, sipas nevojës, me qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe EULEX-it dhe për të krijuar një kuadër të qartë ligjor që do të ndihmojë EULEX-in të përmbushë mandatin e tij’. Dhe vërtet, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 11 Maj 2012, një ligj të veçantë që i jep EULEX-it një akses të paprecedent për të kryer hetime në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që nga ajo kohë drejtuesi i Grupit hetimor ka vizituar dy herë Shqipërinë.Republika e Shqipërisë i ka kushtuar gjithnjë rëndësi të madhe marrëdhënieve me fqinjët si investimi më i mirë për një të ardhme të përbashkët të bazuar mbi bashkëpunimin dhe miqësinë.Kryeministri Edi Rama, në deklaratën e tij në debatin e përgjithshëm të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme me 28 shtator 2013, shprehu ‘synimin e tij të palëkundur për të eksploruar çdo mundësi për të nisur një debat konstruktiv, për të zhvilluar një dialog real, si dhe për të nxitur një bashkëpunim të ngushtë në çdo aspekt me secilin prej vendeve të rajonit, përfshi Serbinë’.Republika e Shqipërisë është e vendosur të punojë ngushtësisht me të gjithë fqinjët e saj drejt arritjes së synimeve të përbashkëta, edhe nëpërmjet procesit të integrimit evropian, për zbatimin e parimeve të demokracisë dhe shtetit ligjor, me synim përmirësimin e jetës së popujve dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”