Beogradi proteston, anulon pjesëmarrjen në takimin për lëvizjen e lirë
Takimi i parashikuar për tu mbajtur sot në kuadër të bisedimeve të grupeve të punës në Bruksel për çështjet e lëvizjes së lirë nuk është mbajtur, pasi pala serbe ka anuluar pjesëmarrjen.Qeveria e Serbisë kishte njoftuar më herët se do të merrte hapa konkretë si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Prishtinës për të ndaluar hyrjen e zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës gjatë kohës së fushatës parazgjedhore që ka nisur sot.Ndërkohë Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se nuk ka ndalesa për zyrtarët serbë që të vizitojnë Kosovën. Në profilin e saj në Twitter, Çitaku ka shkruar:“Ka pasur keqkuptim. Nuk ka ndalesë për zyrtarët serbë që të vizitojnë Kosovën. Ka ‘jo’ vetëm për vizitën e Daçiç. Kjo është e gjitha”.Edhe këshilltari i parë i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë vendim për ndalesën e vizitave të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë në Kosovë gjatë kohës së fushatës zgjedhore.“Si duket është krijuar ndonjë keqkuptim i panevojshëm. Nuk ka ndonjë vendim të tillë në fuqi. Qeveria e Kosovës ka në fuqi procedurat për vizitat e zyrtarëve të lartë të qeverisë së Serbisë në Kosovë të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në të ardhmen”, ka thënë Çollaku.Sipas tij, kjo nënkupton që “çdo kërkesë e zyrtareve të Serbisë e cila iu drejtohet autoriteteve të Kosovës për të marrë leje për të vizituar Kosovën do të trajtohet në mënyrë individuale dhe varësisht nga rrethanat dhe situata, dhe duke i marrë parasysh kriteret që janë në fuqi do të jepen përgjigje”.I pyetur nëse vizitat do të zhvillohen edhe në shërbim të fushatës zgjedhore, Çollaku ka rikujtuar se “kriteret janë të qarta dhe në varësi të faktit sesa i zbatojnë kriteret zyrtarët serb, ashtu edhe do të trajtohen kërkesat e tyre për vizita në Kosovë”.