Maqedoni, zgjedhje të parakohshme në pranverën e 2014

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm në pako me ato presidenciale.Lajmi i tillë konfirmohet nga burime pranë partive opozitare maqedonase dhe qarqet politike qeveritare. Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në pako me zgjedhjet e rregullta presidenciale që do të jenë në mars të vitit të ardhshëm.Partitë politike kanë nisur një fushatë aktive duke bërë lëvizjet dhe kalkulimet e para për këto zgjedhje. Së fundi ka nisur edhe rigrupimi i kampit politik opozitar, por nga ana tjetër edhe një fushatë aktive e Qeverisë me projekte të ndryshme dhe vizita jashtë vendit.Partia në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski është më e interesuar për të hyrë në zgjedhje të parakohshme, pas projeksioneve negative në planin ekonomik, investimeve dhe deficitit në buxhetin shtetëror, që po vijon me trende negative.Nga kjo parti theksojnë se përballja në zgjedhje do të jetë e mundshme për të sfiduar edhe udhëheqjen e re të opozitës maqedonase, e cila siç thuhet nuk ka vizion dhe kapacitete për të drejtuar vendit për çështjet strategjike dhe zhvillimore."Ne jemi të gatshëm për t`u ballafaquar me zgjedhje, për ti treguar kësaj opozite vendin e saj", tha një drejtues i lartë i VMRO-DPMNE.Por, një gjë të tillë disa ditë më parë e theksoi edhe kryeministri Gruevski, duke shtuar se dëshiron ballafaqim me opozitën, e cila po pengon procesin e integrimit të vendit dhe krijon imazh negativ në planin e jashtëm.Partia më e madhe opozitare maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) thekson se do të hyjë në zgjedhje, por jo me kushtet aktuale, pasi që do të ketë zgjedhje kriminale të vjedhura nga pushteti aktual.Kryetari i LSDM, Zoran Zaev theksoi se në mënyrë thelbësore pushteti dhe opozita dhe institucionet e sistemit të përfshihen në pastrimin e listave zgjedhore deri në fund dhe të përfshijnë rekomandimet e OSBE/ODIHR në kodin zgjedhor."Menjëherë sapo të përfundojë kjo, duhet të përcaktohet koha për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, dhe jo në këto kushte të mbahen zgjedhje kriminale", ka theksuar Zaev.Partitë shqiptare theksojnë se janë të gatshme për të hyrë në garën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, mirëpo sipas tyre, deri tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë për tajmingun e tyre. Në taboret e partive shqiptare pranojnë se po përgatitet terreni për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.