Fushata zgjedhore, ekspertët: Partitë të qëndrojnë larg gjuhës fyese

Beteja për të fituar pozitën e kryetarit të Komunës, përbën mision të veçantë të të gjithë kandidatëve, të cilët për të kryer misionin me sukses nuk do ta kursejnë edhe me përdorimin e gjuhës së ashpër përballë kundërkandidatëve.Gent Gjikolli nga Instituti KIPRED, ka theksuar se varësisht nga pozita e tyre politike, kandidatët për kryetarë të komunave, gjatë fushatës zgjedhore do ta përdorin retorikën që besojnë se është më produktive në arsyen dhe kauzën që kanë.Sipas tij, qytetarët në Kosovë votojnë kandidatin për kryetar të komunës, kryesisht në bazë të subjekteve politike që u përkasin ata e jo të aftësive dhe gatishmërisë profesionale të vetë kandidatëve.“Në aspektin e fushatës elektorale, mund të konkludojmë që gjuha fyese shërben vetëm për dëmtim të imazhit të kandidatit kundërshtar, dhe jo për ndonjë përfitim të ndonjë pike politike”, tha ai për Telegrafin.Meqë ende jemi në fillim të fushatës parazgjedhore, e nuk ka pasur ndonjë rast që mund të veçohet ku është përdorur gjuha fyese, Gjikolli vlerëson se mesazhet për vetëdijesim - nga mediat dhe zyrtarët e lartë, për një fushatë të ndershme - nuk kanë munguar.“Kandidatët për kryetarë të komunave janë treguar të përmbajtur në gjuhën që e kanë përdorur. Gjithashtu, është dëshmuar nga zgjedhjet e fundit lokale se gjuha fyese përveçqë nuk është produktive, nuk është as rrugë e duhur për dhënien e mesazhit për shtresën votuese që ka Kosova”, ka shtuar Gjikolli.Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se të gjitha subjektet politike duhet të sillen në përputhje me kodin e mirësjelljes për subjektet politike.Sipas tij, kujdesi për t’u rezervuar nga fjalori i cili mund të nxisë dhunë dhe tensione mes subjekteve që garojnë në procesin elektoral, duhet të jetë i madh.“Çdo qasje tjetër do të bie ndesh me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë. Personat dhe subjektet që përdorin gjuhë fyese, duhet të gjobiten dhe penalizohen”, ka theksuar Selmanaj.