Xhandarmëria serbe provokon, hyn në territorin e Kosovës
Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe sërish kanë hyrë brenda territorit të Kosovës në Karaqevë, saktësisht në vendin e quajtur “Rruga e Breznicës”.Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit Karaqevë, tha se shtatë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë hyrë në Kosovë këtë fillim jave, pa leje të KFOR-it dhe pjesëtarëve të EULEX-it.“Isha i shqetësuar nga ky provokim i serbëve dhe menjëherë i kam njoftuar të gjitha organet e sigurisë duke përfshirë edhe zyrën e presidentes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Një kohë ishim të qetë nga këto provokime, por me këtë veprim të xhandarmërisë serbe po dëshmohet se ajo është një ushtri e padisiplinuar dhe e etur për konflikte”, tha Lenjani.Lenjani thotë se policia e Kosovës përkundër interesimit të treguar kohëve të fundit është e pafuqishme që të përballet me këto provokime.“Ne kemi kërkuar disa herë vendosjen e ushtarëve të KFOR-it përgjatë vijës, ku me hartat e vjetra figuron vija kufitare e Kosovës. Kjo kërkesë nuk po përkrahet nga organet vendimmarrëse e sidomos është për tu brengosur heshtja e Qeverisë. Tani jemi në prag të fushës zgjedhore dhe jam i sigurt se askush nuk do të kujdeset për hallet e banorëve të brezit kufitarë”, tha Lenjani.