25 kompani europiane kanë shfaqur interes për terminalin multimodal të pasagjerëve

Përfaqësues të 25 kompanive europiane kanë marrë pjesë sot në takimin informues mbi studimin e fizibilitetit të hartuar nga kompania italiane “Ital – Ferr”, me financim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).Në takim ishin të pranishëm z. Fabio Serri - Drejtor i Zyrës së BERZH në Tiranë, z. Davor Indiç - Ekspert Bankar, përfaqësues i BERZH në Londër, përfaqësues të Bashkisë Tiranë nga Drejtoria e Përgjithshme e Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja si dhe stafi i konsulentit të huaj “ITAL-FERR” SpA. Të pranishmit u njohën me prezantimin e bëre nga konsulenti “ITAL-FERR” SpA, në lidhje me të gjitha aspektet teknike, ekonomike, financiare si edhe me procedurat e prokurimit që do të ndiqen.Në këtë takim krahas informimit për detajet e projketi, janë tërhequr edhe opinione e propozime për përmirësimin e paketës së dokumentave të tenderit. Gjithashtu, të interesuarit kanë parë nga afër dhe ambientin ku është planifikuar ndërtimi i terminalit.Në këtë terminal, me sipërfaqe 80.000m² do të vendoset stacioni i ri i trenit dhe stacioni i tramit, i cili do të bëjë transportin e udhëtarëve nga terminali multimodal përgjatë bulevardit të ri, deri në sheshin “Nënë Tereza”.Terminali është pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban, i cili do t’u japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut në Tiranë, nëpërmjet parkimit të gjithë mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në Tiranë.