Dita e të moshuarve, nënkryetari Bozdo: Bashkia gjithmonë në ndihmë

Në ditën ndërkombëtare të moshës së tretë, nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo vizitoi qendrën sociale multidisiplinare, në njësinë bashkiake nr.9. Kjo qendër e hapur dy vjet më parë frekuentohet nga familje në nevojë, të moshuar dhe fëmijë me probleme shëndetësore, duke ofruar shërbimet e nevojshme si psikolog, punonjës social, fizioterapist, terapist etj si dhe aktivitete të ndryshme të organizuara nga kjo qendër multidisiplinare.Në këtë qendër do të vendosen së shpejti  kompiutera me programe të posaçme, për t’u mundësuar të moshuarve të komunikojnë me të afërmit e tyre që nuk ndodhen në Shqipëri. Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo theksoi se vëmendja e Bashkisë do të vazhdojë të jetë e fokusuar tek ofrimi i shërbimeve gjithnjë e më të shumta për moshën e tretë por edhe personave të tjerë që kanë nevojë për një shërbim të veçantë.“Në ditën ndërkombëtare të të moshuarve, Bashkia e Tiranës nëpërmjet kësaj qendre organizon një program, në mbështetje të shtresave në nevojë, në mbështetje të atyre që sot, solidaritetin njerëzor e kanë më të nevojshëm se kurrë, jo vetëm të pensionistëve dhe të të moshuarve që kanë nevojë dhe marrin shërbime nga kjo qendër por gjithashtu kjo qendër operon mjaft edhe për fëmijët në nevojë, veçanërisht fëmijët autikë, një dukuri e cila ka ardhur në rritje dhe që në një mënyrë apo një tjetër duhet të marrë përgjigje edhe nga strukturat e shtetit shqiptar” deklaroi nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo.Sipas tij kjo qëndër është një shembull shumë i mirë i vëmendjes që tregon Bashkia e Tiranës në politikat e saj sociale dhe në mbështetje të atyre grupeve që janë në nevojë dhe që kanë nevojë jo vetëm për ndihmën por edhe solidaritetin tonë njerëzor.