Shtyrja e ligjit për nëpunësin civil, Basha: Rama vrau me kobure konsensusin
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar sot pas shtyrjes nga qeveria të ligjit të nëpunësit civil duke e cilësuar vendimin si antikushtetues dhe arbitrar.Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se kryeministri Rama shpërfilli paralajmërin e opozitës dhe hodhi poshtë konsensusin e arritur në Parlament."Mbrëmë ky konsensus u qëllua për vdekje me koburen e aktit normativ; me një firmë të vetme, Rama e hodhi poshtë konsensusin. Kjo nuk ndodh në vende që mbështeten në parime të shtetit ligjor. Duke zhbërë me një firmë Kuvendin, Rama e konsideroi atë si “banana- kuvend. Mazhoranca duhet ta kuptoj që konsensus nuk është çështje numrash por vlerash. Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë, kërcënon rrugën integruese të vendit dhe riciklon konfliktin politik në vend. Kjo është një situatë e rëndë për demokracinë në vend dhe opozita po përgatit të gjitha hapat e nevojshme"u shpreh Basha.Kreu i PD-së theksoi më tej se në orët në vazhdim do të mblidhet grupi parlamentar demokrat si dhe aleatët për të vendosur për të gjitha hapat që do të ndërmerren.“Partia Demokratike është e bindur që duke përdorur të gjitha mjetet ligjore tu ofrojë administratës, anëtarëve që ndihen të kërcënuar asistencën e nevojshme” përfundoi Basha.