Berisha: Ditë e zezë në historinë e kleptokracisë, Kokëdhima mori naftën e vendit!
Ditë e zezë në historinë e kleptokracisë! Kokëdhima mori naftën e vendit! Me këtë këmbanë alarmi e nis komentin e tij ish kryeministri Sali Berisha lidhur me emërimin e sotëm të drejtorit të ri të Albetrol. Duke e cilësuar në konflikt interesi me numrin 2 të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhimën, Berisha deklaron se kjo është një ditë e zezë për shqiptarët dhe shembull i qartë i keqpërdorimit të votës së tyre në 23 qershor.“Kreu i kupolës se miliarderëve dhe de fakto nënkryetar i PS, Koço Kokëdhima, merr naftën e vendit. Rama emëron drejtor të Albpetrolit, drejtorin e gazetës Shekulli dhe klubit Apollonia të Fierit të Koço Kokëdhimës. Kjo është ditë e zezë në historinë e kleptokracisë Rama -Kokëdhima. Qytetare dhe qytetarë ja si po përdorin votën, besimin tuaj, kleptokratët në pushtet dhe ky është vetëm fillimi!” shkruan Berisha.Më herët ishte Partia Demokratike që akuzoi kryeministrin Rama se kërkon të vendosë asetet kombëtare , shërbimet, dhe pasuritë e shqiptarëve në duart e klanit të tij privat. Sipas saj, me emërimin e sotëm, mesazhi i Ramës për shqiptarët është: unë do të qeveris si të dua vetë, me kë të dua vetë. Do të qeverisë për të shpërblyer miqtë dhe klientët mi. Do të qeveris pa respektuar ligjet dhe normat publike”.Qeveria e re ka zyrtarizuar emërimet e para të drejtorëve. Ka qenë ministria e Energjisë dhe Industrisë që ka publikuar emërimet e reja në disa prej institucioneve më të rëndësishme në varësi të saj. Me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në krye të kompanisë Albpetrol është emëruar Endri Puka. Drejtuesi i kësaj kompanie pritet të përballet me një riprivatizim të mundshëm të kompanisë pas dështimit të të parit si dhe vështirësi të tjera strukturore.