Shkarkimi i konsujve, Bumçi: Trajtim denigrues nga Rama

Partia Demokratike ka deklaruar sot se spastrimi në administratë ka përfshirë edhe shërbimin e jashtëm.Në një konferencë për mediat, ish-ministri i jashtëm Aldo Bumçi njoftoi shkarkimin nga detyra të 6 konsujve ndërsa e cilësoi këtë vendim të qeverisë "Rama" si denigrues dhe në dëm të imazhit të vendit në botë.Sipas tij, konsujt janë pushuar pa bërë më parë asnjë analizë për punën që ata kanë bërë gjatë ushtrimit të detyrave përkatëse."Ky është një dëm i madh që i bëhet Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë në mënyrën sesi qeveria e re po e trajton shërbimin e jashtëm. Shërbimi i jashtëm cilësohej si pasqyra më e mirë e keqqeverisjes, deklaratë çnderuese, është bërë nga Rama në Nju Jork, jo e denjë, sepse shërbimi i jashtëm ka një kontribut të jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave, për NATO-n, MSA-në, propozimin për marrjen e statusit të vendit kandidat, thithjen e investimeve të huaja. Kjo është fushatë e mentalitetit të vendit në vitin zero, dëm shumë i madh që i bëhet imazhit të vendit në botë” theksoi Bumçi.Ish-ministri Bumçi e cilësoi si paragjykues dhe aspak objektiv vendimin e kryeministrit Rama për shkarkimin e konsujve.“Bëhet fjalë për një administratë që përfaqëson Shqipërinë në botë. Shkarkimi i konsujve nis nga qëndrimi subjektiv i zotit Rama. Kemi një nisje paragjykuese të zotit Rama ndaj shërbimit diplomatik. Kryeministri duhet të kishte një qasje krejt tjetër për këtë shërbim” shtoi Bumçi.