Shtyrja në fuqi e ligjit, Bumçi: Do ndërmarrim hapa ligjorë kundër vendimit

I gjendur para faktit të kryer, të shtyrjes së hyrjes në fuqi të ligjit për nënpunësin civil nga qeveria e majtë, ndërsa përfundonte intervistën në RTV Ora News me drejtorine Informacionit Patrik Sadikaj, deputeti demokrat Aldo Bumçi ka paralajmëruar ndjekjen e të gjithë hapave ligjorë nga opozita kunder vendimit. Sipas Bumçit përmes këtij akti antikushtetues mazhoranca po minon konsensusin e arritur mes palëve, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se ligji është i pazbatueshëm. Jo vetëm kaq, por sipas tij është e specifikuar qartazi se aktet normative duhet të bëhen pas hyrjes në fuqi të ligjit në një afat tre mujor dhe kurresi para tij.“Kemi të bëjmë me shtetin e së drejtës, kemi ligj të miratuar me konsensus jo thjesht me 3/5. Nuk bëhet fjalë vetëm për një ligj që prek shërbimin civil, por bëhet fjalë për një arritje konsensusi mes palëve. Aktet normative hartohen pasi ligji hyn në fuqi, jo përpara. Ligji hyn në fuqi me 1 tetor, aktet normative kanë afat edhe 3 muaj. Që këtu rrëzohet argumenti i tyre se ligji është i pazbatueshëm. Sipas Kushtetutës nuk mundet që qeveria me një akt normativ të shtyjë ligjin, ai duhet të votohet në Kuvend me 3/5 dhe nëse nuk votohet mbetet nul. Ligji thotë se 3 muaj para se të hyjë në fuqi nuk mund të bëhet asnjë shkarkim përmes ligjit të vjetër. Ne do ndërmarrim të gjitha hapar që ofron Kushtetuta, vendimin do ta marrim kur të njihemi nga afër me aktin normativ në fjalë. Çdo veprim për ti hapur rrugë spastrimit do kundërshtohet plotësisht. Ligji hyn në fuqi nesër dhe akti është antikushtetues” tha ai.Propozimi i Malit të Zi për të krijuar një bashkim të vendeve ballkanike, që do të ishte një lloj rikrijimi i ish-Jugosllavisë me Shqipërinë brenda, ka ngjallur një vëmendje të madhe publike në vend. Në cilësinë e ish-ministrit të Jashtëm dhe një prej drejtuesve më të lartë demokratë në dy mandatet e njëpasnjëshme, Bumçi mohoi sugjerimet e ardhura nga socialistët në pushtet se qeveria e mëparshme ka njohur propozimin dhe se ka heshtur përballë tij.“Çështja ekziston, por mënyra sesi është paraqitur në publik që qeveria e djathtë ka qenë pro saj është pavërtetë, jemi shprehur absolutisht kundër. Për herë të parë, ky propozim është bërë në samitin e Ohrit, i cili dështoi prej vetos që Serbia i vuri pjesëmarrjes së Kosovës dhe po në këtë moment u propozua nisma nga Mali i Zi që përfshinte 6 vende. Ne u shprehëm kundër. Ne e kundërshtuam për tre arsye, ka shumë nisma rajonale më e rëndësishmja është SECP, nisma më e rëndësishme që lejon pjesmarrjen e Kosovës. E dyta Serbia nuk mund tu bëjë bisht detyrimeve që burojnë nga marrëveshja Serbi-Kosovë. Dhe e treta është se kjo nismë lë jashtë në mënyrë të pakuptueshme Kroacinë dhe Slloveninë, vënde anëtarë të BE. Gjatë kësaj vere u formalizua në Slloveni një nismë e re “Ballkani 8+”,e cila përfshin të gjithë Ballkanin duke pasur në çdo takim një përfaqësues të BE. Kur kemi nismat ekzistuese të konsoliduara duhet të punojmë tek këto dhe s’ka arsye për nisma të tjera” tha Bumçi.Në përgjigje të akuzave të mazhorancës për mostransparencë, Bumçi kalon topin nga shefi aktual i diplomacisë, ku referuar asaj çfarë është njoftuar zyrtarisht në faqen zyrtare të MPJ, sipas tij është zoti Bushati ai që duhet të informojë shqiptarët rreth qëndrimit për këtë çështje.“Ka pasur një nxitim nga ata që e kanë propozuar. Nisma u hodh në samitin e Ohrit, në mënyrë informale, u diskutua në korrik në nivel drejtorësh të vendeve. Dhe është zhvilluar tryeza tani në Nju Jork nga Ministrat e Jashtëm. Me çfarë thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme, nismës i është dhënë një dritë jeshile nga Ministria e Jashtme aktuale dhe duhet transparencë. Ministri i Jashtëm duhet të informojë qytetarët shqiptarë. Ata kërkojnë një alibi, qeveria e mëparshme ka qenë qartazi kundër nismës. Ne mendojmë se nuk i shërbën as interesit të bashkëpunimit rajonal dhe as interesit të vendit.Argumentat tanë janë të shëndoshë, nuk nisen nga qëllimet politike. Ministria e Jashtme ka ndjekur vazhdimësinë. Nisma është e panevojshme” u shpreh ish-Ministri i Jashtëm.Mbështetjen e politikës së jashtme në parimin “zero probleme me fqinjët ", Bumçi e sheh si një kërcënim ndaj interesave të vendit. Ndërkohë emërtimi Bitola i qytetit të Manastirit, për deputetin demokrat ishte një lapsus i Ministrit që nuk duhej bërë.“Zero probleme me fqinjët do të thotë të hysh në një politikë rajonale me një kompleks shumë të madh që dobëson rolin e Shqipërisë. Kjo do të thotë që problemet kanë nisur nga ne dhe qeveria e re është e angazhuar për ti zgjidhur. Interpretimi tjetër është nëse kanë probleme fqinjët, ne do pranojmë variantin e tyre, dmth do t’i nënshtrohemi përherë fqinjëve duke sakrifikuar interesat e vendit. Ta fillosh politikën e jashtme nën këtë moto, që ka qenë një ndër më të vlerësuarat, është e patolerueshme. Sa i përket Manastirit, është lapsus. Sipas Minsitrisë së Jashtme Manstiri nuk ekziston më” përfundoi ai.