Berisha “ankohet” tek Sequi: Revansh ndaj opozitës, institucioneve, e administratës
Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi. Dy bashkëbiseduesit në fokus të bisedimeve kanë pasur zhvillimet e dy javëve të fundit, ku Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se po ndërmerr një revansh ndaj opozitës, institucioneve të pavarura dhe administratës publike. Berisha ndër të tjera ka ngritur shqetësimin edhe mbi keqpërdorimin politik të policisë së Shtetit, që sipas tij po i jepen atribute që i ka Policia Ndërtimore.
“Duke u ndalur në zhvillimet e dy javëve të fundit theksova se ato karakterizohen nga një revansh i papërmbajtur i zotit Rama ndaj opozitës dhe institucioneve të pavarura dhe administratës publike. Tejet shqetësues është keqpërdorimi politik, me pasoja shumë të rënda dhe jashtë misionit të saj, i Policisë së Shtetit, në konceptin dikatorial “një polici, një shtet”, për të prishur në mënyrë të paligjshme banesa kundërshtarësh dhe mbrojtur ndërtime pa leje të eksopnentëve socialist, duke i dhënë Policisë së Shtetit atribute që i ka Policia Ndërtimore. Së dyti, theksova se deri tani për z.Rama dhe ekipin e tij, Kushtetuta e vendit, ligji i Këshillit të Ministrave, ligji i prokurimeve, sistemi i prokurimeve dhe blerjeve të vogla elektronike nuk ekziston, çka mund të ketë pasoja shumë të mëdha për vendin. Lufta kundër korrupsionit nuk ekziston” informon Berisha në fb.
Berisha gjithashtu e ka falenderuar Ambasadorin Sequi për të gjithë mbështetjen e tij dhe të delegacionit për proçesin e integrimit të Shqipërisë, duke theksuar e Shqipëria e meriton plotësisht statusin e kandidatit të vendit anëtar për në BE.“Në këtë takim shpreha mendimin tim se Shqipëria meriton plotësisht statusin e kandidatit të vendit anëtar për në BE dhe se arritjet e reformave në Shqipëri kanë bërë të mundur funksionimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në këtë vend ndaj dhe hapja e negociatave së bashku me statusin do të ishte një vendim i merituar” deklaron ish-Kryeministri.
Ndërkohë Ambasadori Sequi shprehu kënaqësinë për këtë takim si dhe vlerësoi të gjjitha reformat e bëra nga qeveria e djathtë për integrimin e Shqipërisë. Sequi shprehu dëshirën për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin në interesin më të mirë të vendit.