Meta takon ambasadorin Martin de la Bej: Me rëndësi bashkëpunimi politik

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është takuar sot me Ambasadorin e Holandës në Shqipëri Martin de la Bej.Duke biseduar mbi zhvillimet politike në vend, Kryetari i Kuvendit Meta theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis forcave të ndryshme parlamentare në interes të integrimit evropian të Shqipërisë dhe konsolidimit të institucionit të Kuvendit.Ai shtoi se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit rajonal në nivel parlamentar, pasi forcimi i stabilitetit të rajonit dhe i perspektivës evropiane të tij mbetet prioritet kryesor.Meta  gjithashtu shprehu angazhimin e tij për të intensifikuar shkëmbimet parlamentare mes dy vendeve, duke theksuar se Vendet e Ulëta përfaqësojnë një vend prioritar për Shqipërinë, jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në Bashkimin Evropian.Nga ana e tij, Ambasadori De La Beij e siguroi kryeparlamentarin Meta për gatishmërinë e vendit të tij për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në nivel parlamentar duke nënvizuar se do të punohet në drejtim të inkurajimit të vëmendjes parlamentare hollandeze në drejtim të Shqipërisë.