Naço, Moro: Korrupsioni në drejtësi shqetësim për investitorët, luftojeni
Ministri i Drejtësisë priti sot Ambasadoren e Francës, znj. Christine Moro. Takimi u përqendrua në reformat në drejtësi, bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh të dy shteteve respektive në projektet IPA dhe Euralius. Ministri nga ana e tij, bëri një rezyme të prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë, duke u ndalur kryesisht tek dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë, shtrirjen në të gjithë Shqipërinë të mbikqyrjes elektronike, reformën ligjore dhe reformën e gjyqësorit, si masa parandaluese në luftën kundër korrupsionit.“Në këtë këndvështrim, ne do të përshpejtojmë hapat për përfundimin e projektit të Pallatit të Drejtësisë. Ndërkohë, një problem që unë e kam në rend të ditës gjatë punës sime, është problemi i sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve, për të cilët Këshilli i Lartë i Drejtësisë mban akoma në referencë performancën e viteve 2005- ’06. Kjo nuk është në nivelin e standardeve të kërkuara nga ne. Unë do të kërkoj përmirësim të këtij sistemi vlerësimi, emërimin në kohë të gjyqtarëve dhe nëse nuk gjej vullnetin e KLD-së, do t’i drejtohem Parlamentit për të ndryshuar ligjin. Do reformojmë edhe Gjykatën e Lartë, pasi në 5 vitet e fundit ajo ka shqyrtuar 5000 çështje, pra 1000 në vit mesatarisht, nga të cilat janë dhënë vetëm 15 vendime unifikuese penale dhe 13 civile.”- theksoi Ministri Naço.Ai e informoi Ambasadoren edhe për fushatën sensibilizuese që Ministria e Drejtësisë pritet të nisë së shpejti, në lidhje me denoncimin e rasteve korruptive në drejtësi.Nga ana e saj, Ambasadorja Moro e përgëzoi Ministrin për iniciativat e tij. Ajo shtoi se është e qartë që në fokus të punës së shtetit që ambasadorja përfaqëson është ndihma kundrejt sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për t’i rikthyer qytetarëve besimin në drejtësi.“Kjo është shumë e rëndësishme. Qytetarët duhet të ndiejnë se çështjet e tyre do të gjykohen në mënyrë të drejtë dhe do të gjejnë zgjidhje. Siç e dini, kjo influencon edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, pasi biznesmenët dhe investitorët kanë nevojë për siguri. Ne na shqetëson korrupsioni në drejtësi dhe nëse ju do të arrini ta luftoni, kjo gjë do të na gëzonte shumë ne dhe gjithë shqiptarët. Ju i keni të gjitha instrumentat, por moszbatimi i tyre mund ta vështirësojë shumë luftën kundër korrupsionit”- deklaroi Moro.Më pas, Ministri Naço i bëri me dije zonjës Moro se ministria e tij do të zhvillojë çdo reformë në një bashkëpunim të ngushtë me organizmat ndërkombëtarë, konkretisht edhe me Komisionin e Venecias. Nga ana e saj, ambasadorja ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj vendit tonë.“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë me projektin Euralius 4. Po ashtu, jemi të kënaqur që ishim pjesë e projektit për konkursin e gjyqtarëve. Dua t’ju bëj me dije edhe për faktin se shteti francez dhe ai shqiptar kanë aktualisht një marrëveshje për Shkollën e Magjistraturës, të cilat punojnë me të njëjtat modele dhe ide. Ato kanë si synim ekselencën jo vetëm gjatë shkollës, por edhe gjatë punës.”- u shpreh Ambasadorja.Në lidhje me këtë, ajo i dhuroi Ministrit Naço disa vëllime të botuara së fundmi për studentët e drejtësisë, të përkthyera nga gjuha frënge.