Çefa-Muižnicks, diskutime rreth shkrirjes së Inspektoratit të MD
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, priti sot në një takim pune Nils Muižnicks, Komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, që shoqërohej nga Nikolaos Sitaropoulos, Nëndrejtor në zyrën e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut, dhe Erliha Bičakčić Këshilltare në zyrën e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut.
Gjatë takimit, Çefa i cili shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryeinspektorja, iu përgjigj interesimit të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës në lidhje me organizimin dhe funksionimin e sistemit të gjyqësor në Shqipëri dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti. Bashkëbisedimi u përqëndrua gjithashtu në çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë, pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit, masat për të adresuar problemin e zgjatjes së procedurave gjyqëore, mbikëqyrja e gjyqësorit etj.Zëvendëskryetari i KLD-së, i njohu bashkëbiseduesit me detyrat dhe kompetencat ligjore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si organ Kushtetues dhe autoritet shtetëror përgjegjës, në mirëfunksionimin e veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, në mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën dhe kontrollin e veprimtarisë së gjykatave të shkallëve të para dhe të apelit.Zoti Muižnicks kërkoi të njihet me ecurinë e funksionimit të punës së Këshillit dhe më hollësisht me sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve që aplikon KLD si institucion përgjegjës. Pasi bëri një pasqyrim të kompetencave ligjore të Këshillit në këtë drejtim, Z.Çefa tha se:
"Vlerësimi profesional i gjyqtarëve, krahas dhe veprimtarive të tjera, ka pasur një përparësi dhe ka avancuar së tëpërmi. Vlerësimi i karrierës së gjyqtarëve është një detyrim ligjor për KLD. Ligji për KLD si dhe ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor detyrojnë Keshillin të vlerësojë periodikisht dhe jo më pak se një herë në tre vjet punën për secilin gjyqtar të sistemit. Këshilli pikërisht në zbatim të këtij detyrimi, me anë të një vendimi të tij ka miratuar formulën e vlerësimit e cila po zbatohet tani. Aktualisht numri total i gjyqtarëve të vlerësuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë është 166 gjyqtarë të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Gjykatave të Apelit dhe mendohet që brënda vitit të përfundojë vlerësimi i të gjithë gjyqtarëve të cilët kanë qënë në detyrë në perudhën 2005-2006. Numri mjaft i madh i vlerësimeve të miratuar në këtë periudhë, tregon një angazhim dhe prioritet të KLD-së për të realizuar në mënyrë konstante procesin e vlerësimeve të gjyqtarëve".Më tej, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shpreh se vlerësimi i gjyqtarëve, ecuria e suksesshme e përfundimit të këtij procesi, për periudhën 2005-2006 si dhe orientimi dhe shtysa e dhënë nga Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht, Kryetari i Këshillit, na shtyn të besojmë se viti 2014 do të jetë viti i vlerësimit tjetër të rradhës për të gjithë gjyqtarët e e shkallës së parë dhe të apeleve, tashmë për periudhën 2007-2009, duke na sjellë shumë afër qenies në kohë dhe konsolidimit përfundimtar të këtij procesi të anashkaluar deri para pak më shumë se një viti.Në vijim të këtij takimi, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, kërkoi mendimin e Zv/kryetarit të KLD-së në lidhje me funksionimin e dy Inspektorateve, atë pranë KLD dhe atë pranë Ministrisë së Drejtësisë, inspektoriate të cilat, të dyja së bashku inspektojnë sistemin gjyqësor.Në lidhje me këtë çështje, Çefa theksoi se mbivendosja e kompetencave midis dy Inspektorateve është tashmë një problem i superuar prej një viti, kur me sugjerimin dhe angazhimin edhe të partnerëve ndërkombëtar është nënshkruar nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministri i Drejtësisë memorandumi i bashkëpunimit. Ky memorandum në praktikë dhe në raportet ndërkombëtare konsiderohet i suksesshëm dhe një fazë tranzitore drejt ekzistencës së vetëm një inspektorati me qëllim konsolidimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.Gjatë takimit u diskutua edhe për çështje të tjera të rëndësishme duke u vënë theksi në domosdoshmërinë e bashkëpunimit me organizmat ndërkombëtarë në përmirësimin e veprimtarisë së KLD dhe të sistemit gjyqësor konformë standarteve më të mira europiane. Në përfundim të dy palët shprehën konsideratat pozitive në mbarëvajtjen e këtij takimi.