Panariti takon ambasadorin e Hungarisë, rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti priti në një takim sot ambasadorin e Hungarisë në vendin tonë  Janos Huszar.Ambasadori hungarez e uroi ministrin Panariti për detyrën e re, duke theksuar se bujqësia është një sektor shumë i rëndësishëm dhe prioritar si për Shqipërinë, edhe për Hungarinë. Ambasadori Huszar u shpreh se është koha që marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve duhet të përkthehen në bashkëpunim ekonomik, duke nxitur thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit veçanërisht në fushën e bujqësisë.Me këtë rast, ambasadori hungarez i dorëzoi Ministrit Panariti një ftesë nga Ministri të Jashtëm hungarez Janos Martonyi për të marrë pjesë në një Samitin e nivelit të Lartë që zhvillohet në Budapest për menaxhimin e ujërave në datën 8-11 tetor 2013.Ministri Panariti e falenderoi ambasadorin Huszar për ftesën, duke theksuar se menaxhimi i ujërave është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë që ai drejton si dhe i Qeverisë Shqiptare. Ministri Panariti nënvizoi se Shqipëria është fatmirësisht shumë e pasur në burime ujore, por nevojitet që këto burime të shfrytëzohen në mënyrë efikase.  Përsa i përket bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, ministri Panariti u shpreh se është e domosdoshme të identifikohen pikat e bashkëpunimit në këtë fushë dhe të fillohet me projekte konkrete.