21 Janari, Apeli jep 1vit burg për Prendin, 3 vjet për Llupon

Katër vjet burg ka vendosur gjykata e apelit e kryeqytet për ta akuzuarit e çështjes së 21 janarit, ku mbetën të vdekur 4 demostrues të opozitës së atëhershme.Kjo gjykatë ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, njëkohësisht  ka bërë edhe rikualifikim të veprës penale nga vrasje me dashje,në vrasje nga pakujdesia për të akuzuarit.

Relatori i çështjes Ervin Metalla me nje lexim të shpejtë ka kërkuar dënimin e ish-kreut të gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg,ndërsa për Agim Llupon ka vendosur dënimin e tij me 3 vjet. Vendimi në sallë ndryshe nga ai i shkallës së parë nuk kishte ovacione, pasi në sallë mungonin gardistët, por edhe vetë dy të pandehurit nuk ishin të pranishëm. Ndërkaq menjëherë pas vendimit reaguan edhe avokatët e dy të pandehurve, të cilët u shprehën të çuditur nga vendimi dhe pohuan se do ta çojnë çështjen për rekurs në gjykatën e lartë.

“Vendimi është i pabazuar në ligj. Ne do ndjekim hapat e ankimimit, do jetë gjykata supreme që do të thotë fjalën e fundit. Vendimi është i pabazuar. Ne jemi të qetë pasi do ndjekim hapat e duhur ligjorë”u shprehën ata.

 Për tu parë mbetet edhe reagimi i Prokurorisë nesë do ta çojnë çështjen për rekurs. Sepse një ditë më parë prokurorët, Shkëlqim Hajdari e Altin Dumani, përgjatë katër orëve proçesi gjyqësor u treguan të ashpër në konkluzionet e tyre, duke kërkuar prishjen e vendimit të shkallës së pare si i dhënë në zbatim të gabuar të ligjit dhe pa analizuar minimalisht provat.

 Një pikëpyetje është nëse do të arrestohen dy gardistët, por në bazë të llogarive Ndrea Prendi dhe Agim Llupo e kanë kryer dënimin që vendosi gjykata në kohën e paraburgimit. Kështu që përfundimisht ata janë të lirë dhe këtë radhë me një vendim të formës së prerë.