Islami: Sindromi i frikës nga vdekja rrezikon raportet e Ramës me opozitën
Ndonëse të shkrirë tashmë në një qeveri, Islami vlerëson se nuk ka rakordim të programeve të PS-LSI. Sipas tij në programin e miratuar në parlament janë ruajtur terësisht formulimet e PS me disa tërheqeje të saj nga premtimet elektorale.
“Nëse do analizonim rakordimin e dy programeve para 1 prillit kanë qenë distante në mënyrë të qartë mes tyre si për taksën progresive, cështjen e 1 milionë të papunëve, shëndetësinë falas. Gjatë kësaj kohe janë ruajtur formulimet e PS, për shëndetësinë falas ka tërheqje megjithëse Rama insistoi në deklaratën e tij se do ta bëjë, sikundër dhe për taksat. Meta është treguar i kujdeshëm për të mos u ballafaquar. LSI ka një dallim edhe për arritjet në fushat e caktuara, kritikohej MPJ kur në 90% të kohës ka qenë e drejtuar prej LSI. Ose sektori i ekonomisë dhe energjitikës, edhe këtu 95% të kohës është drejtuar nga LSI. LSI dhe Meta e kanë lënë në dorë të PS të vazhdojë të ruajë retorikën e saj, duke i dhënë më shumë rëndësi marrjes së Ministrive dhe arritjeve në to” u shpreh ai.
Ndërsa sjell në vëmendje një deklaratë të Kryeministrit Rama ku shprehet “Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes”, Islami e sheh si të rrezikshme këtë sindromë të Kryesocialistit në jetën politike, e në mënyrë të veçantë në raportet me opozitën. Sipas tij në situata dhe në një debat të fortë në parlament Rama rrezikon të shkasë në një retorikë dhune ndaj opozitës. Rasti më flagrant, thekson Islami ishte gjatë diskutimit të programit në Parlament, që kulmoi më pas dhe me heqjen e portretit të Presidentit Nishani nga zyra e tij.
“Në fjalën time u tregova i kujdesshmëm, duke u marrë më shumë me programin, pasi njerëzit e mëdhenj merren me çështje, ato mesatar me gjëra më të vogla, ndërsa njerëzit e vegjël merren me njerëzit. Rama dëgjoi dy ditë dhe gjithë reagimi ishte të ngacmonte figurat kryesore të opozitës, pasi si duket i kishte djegur diskutimi dhe kishin prekur pika delikate të programit, përbërjes dhe strukturës së re të qeverisë. Në vend se të jepte shpjegime për publikun ai u mor duke ngacmuar individualisht persona të ndryshëm. Kjo lidhet me personin e tij, është person cinik dhe vuan nga një kompleks inferioriteti, kur i jepet mundësia bëhet agresiv dhe nuk kontrollon dot veten. Ka dhënë një intervistë ku ka shprehur se ka frikë të madhe nga vdekja, dhe ka thënë do merrem me politikë për ta tejkaluar këtë frikë. Kjo është sindromë që nuk kurohet dot nga asnjë lloj mjeku. Për disa persona duket e lehtë, por kjo është shumë e rëndë, do të thotë se veprimet politike të tij drejtohen nga ky lloj sindromi. Shpresoj të mos shkojë në veprime revanshiste, por në dy seanca në parlament nuk e ka kursyer retorikën e dhunës. Këtë gjë ai e ka bërë dhe në PS. Shikoj rrezik se në situata dhe në një debat të fortë në parlament do të aplikojë këtë retorikë. Atij i kishte djegur fakti se është Kryeministër me mandatet e LSI.E njëjta gjë ndodhi me heqjen e fotografisë së Presidentit të Repulikës, është rast i paprecedentë dhe unik. Kjo do të thotë se është futur në konflikt politik me Presidentin. Rama kur kërkon të godasë një personazh të rëndësishëm apo institucion e bën përmes medias pranë tij deri tek presionet që sipas tij mund ta çojnë Presidentin në dorëheqje. Mesazhi është shumë negativ, një orë pa u tharë boja e betimit tek Presidenti shkon dhe heq fotografinë e tij, ose një ditë para se të shkonte në Bruksel. Këtu zoti Meta ka një qëndrim ndryshe, ai gjeti një zgjidhje të ndërmjetme duke thënë se do ti mbajë të dy. Kjo qeveri është me dy plane, koka, trupa, dy veprime dhe se di si do shkojë funksionaliteti i saj. 5 Ministra do e mbajnë në zyrë foton e Presidentit, pjesa tjetër jo” tha më tej deputeti demokrat.
Nëse qeverisja Rama-Meta do jetë e vështirë apo jo, nisur dhe nga trajtimi që mediat ndërkombëtare kanë bërë, rasti më i fundit ai i gazetës "Neue Zürcher Zeitung", Islami dha këtë koment:
“Gazeta "Neue Zürcher Zeitung". 70% e artikullit ishte një superlavdërim që i bëri Ramës, disident që në ’85 , fakt që asnjë se kishte ditur deri më tani po kjo është e zgjidhshme përmes kompanive lobuese që paguan. Në fund thotë se Rama ka hequr dorë nga idealet e tij të mira për shkuar në koalicion me Metën. Meta është politikani më i korruptuar. Është njeriu që ka krijuar sistemin më të korruptuar dhe kjo ja vështirëson Ramës luftën kundër korrupsionit dhe hapjen e 300 000 vendeve të reja të punës. Po ashtu dhe “The Economist” kishte një artikull ku ishte një shkrim që Rama del një figure e mirë, por që mund ta hedhin në erë të përjashtuarit, qoftë figurat me përvojë të PS apo dhe vetë aleatët që u lanë mënjanë. Me këto të dyja po vërtetohet një tjetër artikull i shkruar direkt pas zgjedhjeve.Të tre artikujt janë në të njëtën linje, Rama ka fituar, ka mundur Berishën, por është i kapur peng nga Ilir Meta, garda e vjetër në PS. Ky është një supernjeri dhe gjithë fajin ja kanë këta të tjerët. Nuk mund të abuzoj, por të tre artikujt kanë një bosht të përbashkët” përfundoi Islami.