1 orë në Kryeministri, Rama: Forcim të bashkëpunimit; Arvizu: Do asistojmë reformat
Kreu i mazhorancës së majtë Edi Rama priti sot ambasadorin e SHBA të akredituar në vendin tonë Aleksandër Arvizu në të parin takim që prej marrjes zyrtarisht të detyrës si Kryeministër.

Për gati 1 orë Rama diskutoi me Arvizun në ambjentet e Kryeministrisë, pa praninë e mediave. Në një prononcim pas takimit, Kryeministri Rama deklaroi se e siguroi diplomatin amerikan se vitet e këtij mandati qeverisës nën drejtimin e tij do të forcojnë më tej marrëdhëniet me SHBA.

“I garantova ambasadorit të SHBA dhe njëherë përfaqësimin tonë të plotë ndaj parimeve dhe vlerave që SHBA mishërojnë, besnikërinë tonë pa kushte ndaj SHBA si aleati më i madh strategjik, natyrisht dhe ndjenjat më të mëdha të miqësisë sonë për popullin amerikan me të cilin ndjehemi pranë. E garantova se vitet e këtij mandati do jenë vitet e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me SHBA” tha Rama.Ndërsa Ambasadori Arvizu risolli edhe njëherë në vëmendje rezultatin e zgjedhjeve, prej të cilit sipas tij burojnë pritshmëri të mëdha ndaj qeverisë së re. Ambasadori amerikan gjithashtu ka vënë theksin në mbështetjen e SHBA për asistuar në realizimin e reformave."Nder dhe kënaqësi që pata dhe njëhërë mundësinë të përgëzoja kryeministrin Edi Rama për qeverinë e re në emer të presidentit të SHBA. Kryeministri Rama shprehu në mënyrë elokuente marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe vijueshmërinë e saj. Ju kam shprehur dhe më parë mbështetjen tonë, për të asistuar administratën e tij me këtë axhendë ambicioze të reformave. Rezultatet e 23 qeshorit ishin të qarta dhe pritjet janë shumë të larta. Jemi të përkushtuar në mënyrë që të përmbushen këto reforma për interes të popullit shqiptar, si dhe duke mbajtur gjithashtu sytë tek statusi i mundshëm kandidat dhe integrimi i metëjshëm i vendit në BE”, tha Arvizu.Më tej, Ambasadori ka vlerësuar qëndrimin e Shqipërisë të njëjtë me atë të SHBA për rastin e Sirisë, ndërsa ka shprehur bindjes se qeveria Rama, do të jetë faktor i rëndësishëm për stabitetit dhe paqe në rajon.“Jemi vlerësues për kontributet e Shqipërisë në NATO, mirënjohës për kontributin e dhënë, dhe për faktin që ndani të njëjtat pikëpajme si ne për rastin e Sirisë. Kemi besim të plotë se qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama do të jetë faktor i rëndësishëm për stabilitetit dhe paqe në rajon”, përfundoi Arvizu.Takimi mes Arvizu dhe Ramës u zhvillua vetëm dy orë para se të nisë mbledhja e qeverisë, e dyta me të marrë detyrën e kryeministrit Rama. Ndërkohë nesër kreu i qeverisë do të udhëtojë drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit.