Berisha pret Ambasadorin e Iranit: Shqipëria nuk duhet të strehonte muxhahedinët

Teherani ka kundërshtuar edhe një herë qëndrimin e vendit tonë në lidhje me strehimin e muxhahedinëve. Reagimi kësaj here ka ardhur nga ambasadori i Iranit në vendin tonë, A. Majid Mozafari, i cili sapo ka marrë detyrën për të përfaqësuar Teheranin në Tiranë.Ambasadori i ri u shpreh se Irani nuk do të kishte dashur që Shqipëria të ishte vendi i parë i strehimit të individëve të grupit MEK, të njohur ndryshe si muxhahedinët, të cilët ndodheshin në kampin "Liria" në Irak.Por Kryeministri në detyrë e ka argumentuar vendimin me një qëndrim tërësisht humanitar të qeverisë shqiptare. Siç bëhet e ditur në njoftimin për mediat, Kryeministri Berisha e siguroi Ambasadorin Mozafari se nga territori i Shqipërisë nuk do të mundet të ndërmerret qoftë edhe një veprim në drejtim të Iranit nga askush dhe së dyti, cilido prej të strehuarve, që do të ketë garancinë e plotë të autoriteteve iraniane dhe dëshiron të kthehet në vendin e tij, nuk do të ketë asnjë pengesë nga autoritetet shqiptare.Ne jemi të përkushtuar , - tha kryeministri Berisha, - t'u krijojmë atyre të gjitha kushtet për një jetë të lirë dhe të mirë në këtë vend, ndërsa ritheksoi se ky akt nuk ka të bëjë më asgjë tjetër veç qëllimit humanitar.Më tej Kryeministri Berisha theksoi se uron që Irani në interesin më të mirë të tij të zgjidhë me transparencë dhe bashkëpunim të besueshëm, problemin e armëve bërthamore dhe të eci në rrugën bashkëpunimit ndërkombëtar.Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për marrëdhëniet dy palëshe e mundësitë e forcimit të tyre në fusha të ndryshme.