Durrës, ekzekutohet biznesmeni i ndërtimit
Nga OraNews Përditësimi i fundit 2 Shtator 2013, 09:07
Ekzekutohet në mënyrë mafioze një biznesmen ndërtimi në qytetin e Durrësit.
Ngjarja e rëndë është shënuar pranë stacionit të trenit në qytetin bregdetar ku biznesmeni Plarent Cani, është qëlluar me një breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, 2 persona të cilët lëviznin me motorr kanë qëlluar me automatik investitorin e ndërtimeve në kohën kur ai sapo kishte dalë nga lokali që ndodhej pranë një prej pallateve që ai po ndërtonte.
Mësohet se autorët e krimit jane larguar me shpejtesi nga vendngjarja duke u futur në rrugicat qorre të zonës së plazhit dhe janë zhdukur në drejtim të paditur.
Goditja nga një distance e afërt ka qënë fatale për 40-vjeçarin i cili ka ndërruar jetë në kohën që po transportohej në drejtim të spitalit të Durrësit.Ndërkohë menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.Hetimet e policisë janë përqëndruar në aktivitetin e viktimës në fushën e ndërtimeve në bregdet, si dhe të ndonjë konflikti të mundshëm.