Teatri i Adrianopolit, mbyllet me sukses ekspedita Italo-Shqiptare

Përfundon ekspedita arkeologjike, “Adrianopol  2013”.Ekspedita Italo - Shqiptare e cila nisi një muaj më parë ka nxjerrë në pah një territor të gjerë të teatrit të Adrianopolit, e cila dikur mbulohej nga aluvionet e lumit Drino. Në përfundim të gërmimeve të këtij viti, ka qenë i pranishëm edhe drejtori i institutit të arkeologjisë, Luan Bërzhita.Sipas Bërzhitës e veçanta e këtij viti lidhet me ndërtimet e shekullit të gjashtë, me ndërtimet e perandorit Justinian, e  cila na jep mundësinë të gjykojmë se kjo qendër nuk pati vetëm një zhvillim të vrullshëm në shekujt e dytë, të tretë dhe fillimit të shekullit të katërt, por edhe në shekullin e gjashtë.Teatri  i Adrianopolit, me një kapacitet prej 4000 vendesh, u zbulua në vitet 1970 nga arkeologu  Apollon Baçe. Ai ndodhet përballë fshatit Sofratikë të komunës së Dropullit të poshtëm, shumë  afër rrugës nacionale, çka e bën atë lehtësisht të prekshëm nga ana e vizitorëve.Teatri i Adrianopolit, është një qendër turistike e rëndësishme e zonës së minoritetit.