Komuna Dardhas, PD akuzon: LSI presion mbi votuesit, Hamollari: Akuzat e PD, justifikime për disfatën

Proçesi zgjedhor në Dardhas të Korçës, është shoqëruar më tensione. Vetëm pak orë pas nisjes së proçesit ka qenë kandidati i Partisë Demokratike, Gentian Pere që ka hedhur i pari akuza. Sipas kandidatit të PD-së, militantë të konkurentit kanë ushtruar presion mbi votuesit. Në këtë komunë votojnë mbi 2 mijë e 600 banorë të cilët do të votojnë në 8 qëndra votimi.Pas këtyre akuzave ka reaguar kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për komunën Dardhas, Genci Hamollari si dhe kreu i LSI-së për Pogradecin. Sipas tyre akuzat e kandidatit të PD-së janë thjeshtë justifikime për disfatën që e pret.Ndërkaq në orët e mesditës, një konflikt është shënuar pranë një qëndre votimi, i cili fillimisht është raportuar si një konflikt midis militantëve. Megjithatë policia ka sqaruar se sherri nuk ka pasur lidhje me zgjedhjet dhe personat nuk ishin militantë të asnjë force politike.Ndërkohë për çdo incident, policia e Korçës ka ngritur tashmë edhe disa grupe të gatshme, të cilat janë në terren duke monitoruar situatën, në komunën e Dardhasit.