Bashkia e Tiranës, zhvendos linjën e tensionit të lartë nga Bulevardi “Zogu i Parë”

Pas 15  vitesh, linja e tensionit të lartë do të  zhvendoset nga bulevardi “Zogu i Parë”.Zhvendosja e kësaj linje, një shqetësim i madh i banorëve të kësaj zone ishte një premtim i kryebashkiakut Basha, bërë gjatë fushatës elektorale në vitin 2011.  Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës ka marrë një ekip të specializuar nga jashtë si dhe po bashkëpunon me OST. Ekspertët e huaj e kanë konsideruar punën në zhvendosjen e linjës së tensionit të larte, si një ndërhyrje “kirurgjikale”. Zhvendosja do të përfundojë tërësisht brenda javës së parë të Shtatorit.Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja, Henrik Hysenbegasi tha se punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zviceriane, në bashkëpunim me ekspertë të OST-së.“Punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zviceriane, duke përdorur teknologjinë e fundit. Jemi në pikën përfundimtare, ku kryhet lidhja e kabllove. Brenda pak ditësh do të mundësojmë vënien në efiçencë të linjës nëntokësore, “Tirana-1” - nënstacioni-Qendër dhe me vënien në efiçencë të kësaj linje do të mundësohet edhe zhvendosja e linjës ajrore të tensionit të lartë përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, deri në vazhdim tek stacionin Tirana-1” – u shpreh Hysenbegasi.Drejtori i njësisë operative për Tiranën, pranë OST-së, Sali Toçilla ka falënderuar Bashkinë e Tiranës, për këtë investim me parametra bashkëkohorë dhe që i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit.“Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit. Gjejmë rastin të falënderojmë Bashkinë e Tiranës, që bëri të mundur zbatimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës” – theksoi Toçilla.