Bashkia, transport falas nga Tirana në Vorë, për përdoruesit e linjës së trenit

Nisja e punimeve për bulevardin e ri të Tiranës ka diktuar nevojën e nisjes së zhvendosjes së shinave të trenit. Për këtë arsye, duke nisur nga dita e Hënë, Stacioni i Trenit do të zhvendoset në Vorë. Për t'u krijuar të gjithë lehtësirat e nevojshme udhëtarëve që përdorin linjën e trenit për të udhëtuar, Bashkia e Tiranës do të vërë në dispozicion autobusë  falas, për transportin e pasagjerëve të trenit, nga Tirana në Vorë dhe anasjelltas.Nisja e autobusëve bëhet nga stacioni aktual i trenit, sipas orareve të nisjes së trenit dhe anasjelltas. Për të përdorur shërbimin falas të autobusëve, pasagjerët duhet të kenë biletën e trenit ose abonenë që i identifikon si përdorues të linjës së trenit. Zhvendosja e shinave të trenit, përveç se i hap rrugën realizimit të një projekti strategjik, siç është ndërtimi i bulevardit të ri, do t'i japë fund ankthit të banorëve që jetojnë përgjatë zonës ku shtrihen shinat e trenit. Aksidente të shumta, me pasojë edhe humbje jete njerëzish janë shkaktuar në këtë zonë, si pasojë e kalimit të qytetarëve dhe automjeteve mbi shinat e trenit.Kryebashkiaku Basha ua premtoi banorëve të kësaj zone, zhvendosjen e shinave të trenit, në vitin 2011, një premtim që do të kthehet në realitet, duke nisur nga dita e Hënë. Investimi që e pason këtë hap të parë, pra ndërtimi i bulevardit të ri do të sjellë një cilësi të re jete për banorët, mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik.